Mbi 180 punëtorë të Banjës së Pejës, u larguan nga puna kur fillojë pandemia e koronavirusit dhe filluan problemet financiare.
Menaxherja e Banjës së Pejës Onix Spa, Arlinda Shoshi, thotë për Radion Evropa e Lirë se biznesi i tyre ka qenë i mbyllur për rreth 7 muaj.
Humbjet janë të mëdha, por ndihma e shtetit, thotë Shoshi, është shumë e vogël.
“Sa i përket subvencionimit të fundit të qeverisë për rimëkëmbje ekonomike, te biznesi ynë është bërë një padrejtësi. Me vendim të qeverisë është paraparë të paguhen listat e punëtorëve të muajit dhjetor, mirëpo kjo nuk ka ndodhur. Ne kemi bërë ankesë te Ministria e Financave, por është refuzuar”, thotë ajo.
Ndonëse të gjitha bizneset tjera u hapën, Banja e Pejës dhe banjat e tjera në Kosovë, u hapën shumë vonë.
“Pavarësisht se a krijon të hyra apo jo, si biznes je i detyruar t’i mbulosh të gjitha shpenzimet fikse që ndodhin gjatë periudhës kohore që nuk fiton, pastaj janë kreditë dhe shumë obligime tjera financiare që ne kemi pasur vështirësi t’i mbulojmë. Banja e Pejës i ka rreth 250 punëtorë dhe gjatë kësaj periudhe jemi detyruar t’i largojmë mbi 180 punëtorë”, thotë Shoshi.
Ndihma e shtetit ‘për të gjithë’
Pa dallim nëse pësuan shumë humbje apo fituan, bizneset në Kosovë u subvencionuan njëjtë.
Bizneset janë ndihmuar nga Fondi për rimëkëmbje ekonomike i Qeverisë së Kosovës.
Për këto biznese, nga ky Fond i cili kap vlerën e mbi 350 milionë euro, janë ndarë 60 milionë euro për biznese, mjete këto të cilat janë vlerësuar të pamjaftueshme.
Nga shuma prej 60 milionë eurosh kanë përfituar 36,679 biznese me 206,852 të punësuar.
Bizneset kanë përfituar nga 290 euro për secilin punëtor të punësuar.
Bizneset në Kosovë u ndihmuan po ashtu edhe përmes Pakos emergjente fiskale, në vlerë të rreth 180 milionë eurove.
Kjo pako, e cila kishte për qëllim të zbuste problemet ekonomike dhe sociale, ishte miratuar në muajin mars, pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus, nga qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri, Albin Kurti.
Bizneset që nuk kishin humbje ishin barnatoret, kompanitë tregtare që ofrojnë shërbime online, marketet me pakicë, etj.
Fatos Lushaku ka 21 vjet që ka barnatoren në Prishtinë. Ai tregon për Radion Evropa e Lirë se në pandemi ka pasur shtrenjtim të çmimeve të produkteve medicinale. Kjo gjë ka ndikuar edhe te shtrenjtimin e produkteve që ai ka shitur.
Lushaku falënderon shtetin për ndihmën e dhënë bizneseve, por thotë se nuk kanë pasur nevojë për ndihmë dhe sugjeron të ndihmohen bizneset të cilat kanë punuar me humbje.
“Ne kemi punuar normalisht me orar të rregullt dhe gjatë kohës së pandemisë kemi pasur edhe orë kujdestarie shtesë. Ne farmacistët nuk e di që kemi kërkuar ndihma prej shtetit asnjëherë. Diku më duket, për person nga ka dhënë nga 80 euro edhe pse nuk i kam shikuar, sepse nuk është një shumë që mua më kryen punë”, thotë Lushaku.
Në pritje të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike
Më 12 tetor, Kuvendi i Kosova kishte miratuar në parim Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike COVID-19.
Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, kap vlerën e 385 milionë eurove. Me miratimin e këtij projektligji është thënë se do të mundësohet rikuperimi i humbjeve të bizneseve për shkak të pandemisë se shkaktuar nga koronavirusi.
Në këtë projektligj parashihet që kontributpaguesit të mund të tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Ky projektligj – nëse votohet në Kuvendin e Kosovës edhe në leximin e dytë dhe shndërrohet në ligj – do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor, 2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.