Javën e kaluar ka dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ku ishte paraparë të hidhet në votim në lexim të dytë Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike. Seance ka dështuar në mungesë të kuorumit. E, nesër pikërisht për këtë çështje do të mblidhet Kuvendi.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen në dy seanca plenare gjatë kësaj jave.
Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e saj ka vendosur që të mërkurën të mbahet seanca ku pritet të hidhet në votim për lexim të dytë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.
Të premten e kaluar kishte dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku ishte paraparë të hidhet në votim ky Projektligj.
Seanca kishte dështuar në mungesë të kuorumit.
“Nuk ka kuorum për mbajtjen e kësaj seance. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi duke marrë parasysh zhvillimet politike në vend, ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet për datën 11 nëntor 2020”, kishte thënë nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala.
Më 5 nëntor, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit, për shkak të konfirmimit të aktakuzës për krime lufte nga Dhomat e Specializuara. Njëjtë veproi edhe kreu i deritanishëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili pas konfirmimit të aktakuzës, tha se do të heqë dorë nga të gjitha funksionet.
Më 5 nëntor, përveç Thaçit dhe Veselit, në Hagë, pas konfirmimit të aktakuzës, u transferua edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.
Ndërkaq, në Hagë, më 4 nëntor në qendrën e paraburgimit të Dhomave Speciale, u dërgua edhe ish-kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi, nën akuza për krime lufte.
Pas dorëheqjes së Thaçit, në bazë të kompetencave kushtetuese, ushtruese e detyrës së presidentit u bë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në një adresim bëri thirrje për unitet dhe tha se në këtë kohë të vështirë nëpër të cilën po kalon Kosova, duhet “lidership i fuqishëm”.
Ndryshe, Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, që në lexim të parë u votua më 12 tetor – mëton të ndihmojë në rikuperimin e humbjeve të bizneseve për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Bizneset në Kosovë kanë raportuar humbje në pothuajse të gjithë sektorët, që prej fillimit të pandemisë. Andaj, subjektet ekonomike u kanë bërë thirrje disa herë deputetëve që ta votojnë këtë projektligj, pasi sipas tyre, “adresimi i dëmeve të shkaktuar në ekonomi, është thelbësor për shpëtimin e ndërmarrjeve dhe punonjësve të goditur nga pandemia COVID-19”.
Në këtë projektligj po ashtu parashihet që kontributpaguesit të mund të tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Ky projektligj nëse votohet në Kuvendin e Kosovës edhe në leximin e dytë dhe shndërrohet në ligj do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor, 2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.
Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.