Keqmenaxhim me kredi, Qeveria pagoi rreth 750 mijë euro si “ndëshkim” për ngecje

Rreth 750 mijë euro të taksapaguesve janë shpenzuar nga Qeveria e Kosovës si “ndëshkim” për mostërheqjen e mjeteve të kredisë nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe ngecjeve në zbatimin e projekteve.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave për periudhën janar-shtator të këtij viti, borxhi i përgjithshëm publik ka arritur në 1 miliard e 341 milionë euro, prej të cilave, borxhi ndërkombëtar është 407 milionë euro, ndërsa borxhi i brendshëm ka arritur në 934 milionë.

Dështimi në tërheqjen e fondeve është pasojë e planifikimit të dobët dhe mungesës së kapaciteteve qeveritare për ta shfrytëzuar në mënyrë efektive dhe efikase huamarrjen.

Reklama e sponzorizuar

Studimet e dobëta të fizibilitetit të projekteve, mangësitë në krijimin e parakushteve të nevojshme për eliminimin e pengesave infrastrukturore dhe ligjore në realizimin e këtyre projekteve, kanë bërë që disa prej tyre të ridizajnohen e disa kredi të tkurren në vlerë.

Qeveria ka hyrë në marrëveshje për kredi para se të krijohen kushtet për shfrytëzimin e këtyre fondeve.

Të dhënat tregojnë se nga viti 2009 vlera e borxhit në institucionet ndërkombëtare është 1 miliard e 546 milionë euro, prej të cilave 637 milionë euro nuk janë shfrytëzuar

Ministria e Financave nuk ka treguar se sa është shuma e tarifës së zotimit dhe interesi që është dashur që të paguajë për këto mjete edhe pse nuk janë shfrytëzuar deri në shtator të këtij viti, por ajo nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara të enjten.

Por, në Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2019 thuhet se për shumën prej mbi 475 milionë eurosh të pashfrytëzuar janë paguar rreth 750 mijë euro, nga kjo shumë 410 mijë euro janë tarifa të paguara për projekte që kanë ngecje në zbatim.

Shuma e kredive të ratifikuara, por që nuk janë tërhequr gjatë vitit 2019 ishte rritur në mbi 475 milionë euro, nga 393 milionë euro sa ishte në vitin 2018. Ndërsa në nëntëmujorin e këtij viti shuma është rritur në 637 milionë euro.

Deri në fund të 2019, borxhi i përgjithshëm ka arritur në 1 miliard e 201 milionë euro, që krahasuar me vitin paraprak shënoi një rritje prej 108 milionësh apo rreth 10 për qind. Ndërkohë, bazuar në të dhënat për 9- mujorin e këtij viti, shuma është rritur për 140 milionë euro apo 11.6 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Sipas ZKA-së, problemi kyç lidhur me këto borxhe është mosefikasiteti i shpenzimeve të fondeve të marra si hua të jashtme.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, shërbimet e borxhit të jashtëm dhe të brendshëm, duke përfshirë kthimin e kryegjësë, shpenzimet e interesit, tarifat zotuese dhe tarifat e tjera si pjesë e borxhit kanë arritur vlerën e afro 74 milionë eurove.

Në Raportin e ZKA-së thuhet se “tarifat zotuese në vlerë prej 540,000 eurosh kanë të bëjnë me kreditë e ratifikuara që nga viti 2009 deri më 2019. Në angazhimet financiare ndërkombëtare, tarifa e zotimit paraqet një tarifë të cilën huadhënësi e kërkon nga huamarrësi si kompensim për ndarjen/zotimin e mjeteve që huazohen. Tarifa e zotimit llogaritet në shumën e padisbursuar të kredisë”, thuhet në raport.

Sipas tij, krahasuar me vitin e kaluar, ka një rritje të tarifës zotuese prej 250.000 eurosh dhe tarifave të tjera për 200.000 euro. “Vlera e kësaj tarife është mjaft e ndjeshme për shkakun që nuk kanë kundërvlerë për ndonjë shërbim të kryer apo financim të projekteve”, thuhet në Raportin e ZKA-së.

Raportet e auditimit ndër vite kanë shpalosur se lidhjet ndërmjet dokumenteve strategjike, KASH-it dhe borxheve vjetore janë mjaft sfiduese në aspekt të një planifikimi të arritshëm buxhetor. Si pasojë, vlerësimet e rrezikut për çështje më të dukshme si: vonesat në zbatimin e projekteve komplekse, zbrazëtirat në strategji dhe planifikimin e kostos (interesin bankar dhe tarifat tjera), sipas ZKA-së, nuk janë trajtuar me vëmendjen e duhur nga ana e Qeverisë.

Keqmenaxhimi me kredi është shpalosur edhe në një raport të Qeverisë të vitit të kaluar. Në raport janë disa projekte të cilat ishte paraparë që të zbatohen nga Ministria e Infrastrukturës, por që janë zvarritur për vite të tëra.

Projekti për rrugën M2, që lidh Prishtinën me dy qytetet, Vushtrrinë dhe Mitrovicën, nuk ka arritur të realizohet as gjashtë vjet pas nënshkrimit të marrëveshjeve për kredi. Kjo rrugë, e cila fillon në Milloshevë, 8 kilometra nga Prishtina dhe vazhdon për 26.7 kilometra deri në hyrje të Mitrovicës, ka mbetur peng i vullnetit politik. Shpërndarja e parë është bërë nga kreditori Banka Islamike për Zhvillim, në vitin 2017.

Që nga fillimi i disbursimeve deri në dhjetor të 2018-s është ekzekutuar 8 për qind e projektit. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, arsyet e vonesës lidhen me faktin se projekti ka tre kreditorë të ndryshëm dhe përshtatja e tri llojeve të procedurave të prokurimit ka shkaktuar vështirësi shtesë. Sfidë tjetër, sipas saj, ka qenë kompensimi i pronave përgjatë të cilave zhvillohen punimet.

Fatin e njëjtë me këtë projekt e ka pasur edhe ai për rehabilitimin e rrugëve rajonale. Marrëveshja financiare është nënshkruar në fund të vitit 2015. Ky projekt, për të cilin shteti ka hyrë në kredi 29 milionë euro në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, parashihej të kishte ndikim në përmirësimin e jetës së qytetarëve që jetojnë në Gjilan, Ferizaj, Kllokot dhe Prizren, por edhe në qytetet përreth. Deri tash nuk është tërhequr asnjë mjet i kësaj kredie.

“Implementimi i këtij projekti ende nuk ka filluar, si pasojë e sfidave lidhur me shpronësimin e tokave dhe kompensimin për kategoritë e tjera të identifikuara me rregullat e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të dakorduara me marrëveshje financiare”, thuhet në raportin qeveritar.

Problem, sipas raportit, paraqesin edhe vonesat nga ana e disa komunave në bartjen e pronave të shpronësuara nga vitet ’60 deri ’90.

Projekti tjetër ka të bëjë me rehabilitimin e linjës së 10 hekurudhore. Ai është vlerësuar nga institucionet si projekt “i rëndësisë rajonale”, meqë lidh rrjetin hekurudhor të Kosovës me dy vende fqinje, Serbinë në veri dhe Maqedoninë e Veriut në jug. Për këtë projekt janë nënshkruar dy marrëveshje financiare në vitin 2015. Ajo me Bankën Evropiane për Investime ka vlerë 42 milionë euro, kurse marrëveshja me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim peshon 39.9 milionë euro. Kjo e dyta është bërë efektive në vitin 2018.

“Si sfidë kryesore e raportuar në Ministrinë e Financave që e ka përcjellë fillimisht projektin është vonesa që ka shkaktuar kërkesa e Ministrisë së Infrastrukturës për shqyrtimin e mundësisë së ndërtimit të hekurudhës nëntokësore në pjesën e qytetit të Ferizajt. Pas diskutimeve me Ministrinë e Infrastrukturës, me “Infrakos” dhe me bankat financuese, është vendosur që të mos ketë devijim nga plani fillestar i projektit”, thuhet në Raport.

Sfidë tjetër është raportuar rritja e dukshme e kostos në krahasim me planin fillestar të fizibilitetit të vitit 2010.

“Shkak për këtë dallim është se plani i fizibilitetit është bërë shumë më herët dhe nuk ka qenë i detajuar sipas standardeve ndërkombëtare”, thuhet në raport.

Mosrealizimi i projekteve të nënshkruara me kredi, sipas Institutit Riinvest, është bërë shkaku i mungesës së kapaciteteve për absorbimin e kredive. Në një raport të publikuar në shkurt të 2019-s, thuhet se ka pasur mangësi që në fazën përgatitore të projekteve. Aty thuhet se ka munguar një rol proaktiv i domosdoshëm i bartësve të projekteve dhe institucioneve-ministrive, komunave, agjencive dhe ndërmarrjeve publike.

Kjo, sipas Riinvestit, është e domosdoshme ngase donatorët dhe kreditorët jo gjithherë kanë domosdo pasqyrën dhe ndjeshmërinë e plotë për prioritetet e politikave zhvillimore publike lidhur me investimet publike dhe aspektet e ndërlidhura makroekonomike dhe mikroekonomike.

“Çfarëdo improvizimi dhe tejkalimi i standardeve dhe metodave në fazën e përgatitjes së projekteve, krijon probleme dhe defekte serioze në fazën e zbatimit dhe sidomos eksploatimit, përkatësisht qëndrueshmërisë financiare të projektit”, thuhet në raport. Edhe faza e kontraktimit dhe sidomos ajo e zbatimit, sipas Riinvestit, përballen me probleme serioze.