Mbjelljet vjeshtore në Kosovë po shkojnë drejt fundit

Sektori i bujqësisë

Mbjelljet vjeshtore po shkojnë drejtë fundit. Edhe pse nuk dihet se sa do të jenë sipërfaqet e mbjella me grurë, këtë vit besohet se do të mbillet më shumë, marrë parasysh kushtet e mira agroklimatike. Ekspert të bujqësisë porosisin që të mbillen sa më shumë sipërfaqe me grurë dhe thonë se kjo mund të bëhet deri në mes të nëntorit.

Përveç për një zhvillim më të lartë ekonomik, Komuna e Ferizajt njihet edhe për tokën e saj të bereqetshme. Shumë nga bujqit e kësaj komune tashmë kanë përfunduar mbjelljen e grurit. Deri tash, sipas drejtorit të Bujqësisë, Burim Bajrami, në Ferizaj janë mbjellë rreth 4 mijë hektarë grurë dhe për mbjelljen e tij bujqit janë përkrahur edhe nga komuna.

“Kushtet agroklimatike kanë qenë të favorshme për mbjelljen e grurit. Janë mbjellë rreth 4 mijë hektarë në tërë territorin e komunës sonë. Si drejtori u kemi ofruar kultivuesve të grurit pleh të kombinuar artificial, në sasi 150 mijë kilogramë dhe kjo sasi është ndarë në mënyrë proporcionale për mbjellësit e grurit”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Ndonëse afat optimal për mbjelljen e grurit në Kosovë konsiderohet fundi i muajit tetori, profesori universitar i bujqësisë, Imer Rusinovci, thotë se bujqit mund të vazhdojnë me mbjellje edhe gjatë nëntorit.

Në mbjelljet e muajit nëntor fermerët domosdoshmërisht duhet të shtojnë sasinë e farës dhe të plehut, për 10-15 për qind, në krahasim me normën ose standardin e parapara. Në situata të tilla mbjellja mund të realizohet edhe deri më 15 nëntor”, tha ai.

Profesor Rusinovci porositë bujqit që të mbjellin sa më shumë sipërfaqe me grurë, meqë sipas tij, është fakt shqetësues importi i lartë i grurit.

“Importi i grurit dhe misrit në sasi kaq të madhe e marramendëse është e pajustifikueshme. Konsideroj se sipërfaqet aktuale me prodhimtarinë e ulët që e kemi realizuar, nuk përmbush as gjysmën e kërkesave tona ushqyese për grurë, andaj, në të ardhmen prioritet ndër prioritetet e shoh të kultivuarit e grurit për të shtuar prodhimin për njësi sipërfaqësore”, citon RTK Rusinovcin.

Në lidhje me sipërfaqet që pritet të mbillen me grurë në nivel vendi këtë vit, Radio Kosova ka pyetur edhe Ministrinë e Bujqësisë. Por, edhe pas interesimit, zyrtarë për informim nga kjo ministri, për ditë të tëra nuk kanë dhënë përgjigje, me arsyetimin se për komunikim me medie duhet të kenë leje paraprakisht nga kabineti i ministrit.