Kjo është shuma e parave që morën kredi kosovarët përgjatë pandemisë

Kosovarët kanë hyrë kogja në kredi gjatë vitit 2020. Gjatë këtij viti vlera e kredive aktive në sektorin bankar të Kosovës në shtator 2020 ishte 3.2 miliard euro, që paraqet një rritje vjetore prej 7.6%.

“Vlera e kredive të reja të lëshuara për periudhën janar-gusht 2020 është 912.5 milionë euro, krahasuar me 959 milionë euro apo rënie prej 5 përqind, krahasuar me një vit më parë” tha Guvernatori i Bankës Qëndrore, Fehmi Mehmeti në konferencë për media.

Megjithatë, sipas Mehmeti, gjatë muajve korrik-gusht të këtij viti ka të dhëna premtuese, ku kreditë e reja të lejuara nga sektori bankar janë në vlerë prej 320.7 milionë euro krahasuar me kreditë e reja të lëshuara në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar prej 260 milionë, apo një rritje prej 23 përqind.

Reklama e sponzorizuar

Mehmeti, theksoi se depozitat vazhdojnë të përfaqësojnë burimin kryesor të financimit për sektorin bankar dhe shënuan rritje vjetore prej 8.6 përqind në shtator 2020.

“Është e rëndësishme të theksohet se depozitat e ekonomive familjare përfaqësojnë 67 përqind të gjithsej depozitave në sektorin bankar, e të cilat kanë shënuar një rritje prej 7 përqind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar” shton ai.

Ndërsa norma efektive e interesit në kredi është 6.4 përqind sa ishte edhe në shtator të vitit 2019, derisa norma e interesit në depozita është 1.5 përqind, e njëjtë sikur në shtator të vitit të kaluar.