Do të shpallet i pavlerë një raport mbi vlerësimin e performancës së komunave, mbi bazën e të cilit ato do të përfitonin nga granti në vlerë 5.2 milionë eurosh. Për ta shpëtuar grantin, do të ndodhë një rimatje e performancës.
E dhëna është konfirmuar nga Zyra e Kryeministrit (ZKM), vetëm një ditë pasi KOHA ka raportuar për dyshime për abuzimin e disa zyrtarëve të Ministrisë së Pushtetit Lokal (MPL) gjatë procesit të matjes së performancës së komunave.
“MPL në koordinim me donatorët e ka trajtuar këtë çështje dhe jemi dakorduar për rifillimin e procesit të vlerësimit për grant, që nënkupton zbatimin e të gjitha procedurave që kërkohen në bazë të Rregullores për Sistemin e Menaxhimit të Performancës dhe Skemës së Grantit të Bazuar në Performancë”, thuhet në një përgjigje të ZKM-së, dhënë KOHËS. “Ky rivlerësim do të sigurojë përfshirje edhe më të madhe të shoqërisë civile, përfshirë mediave dhe të gjitha palëve të tjera të interesuara, për të garantuar se edhe ky proces sikurse procesi paraprak i vlerësimit ka qenë transparent dhe objektiv”.
Akuza e kundërakuza për Raportin, mbi bazën e të cilit komunat do të përfitonin nga granti 5.2-milionësh, janë parë pas një deklarate të lëshuar në përmbyllje të Kuvendit vjetor të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Në të është dhënë kritika për mostransparencë sa u përket formulave për shpërndarjen e grantit, si dhe është alarmuar për probleme me kriteret rreth kushteve minimale dhe indikatorëve të vlerësimit.
Pas kësaj, ministri Goran Rakiq ka njoftuar tri ambasada, shtetet e të cilave participojnë në grant – Ambasadën e Zvicrës, Suedisë dhe Norvegjisë – për shkëputjen e marrëveshjes për grantin e performancës komunale. Në letër, të cilën e ka siguruar KOHA, ministri, ndër të tjera, përmend si arsye faktin se nga të gjitha komunat, përfshirë ato që kanë përfituar, “kontestohet transparenca e procedurave të ndjekura për ndarjen e këtij granti”.
Prej dy javësh në Ministrinë që e drejton Rakiqi nuk u janë përgjigjur një numri pyetjesh që lidhen me këtë proces.
E në Zyrën e Kryeministrit kanë thënë se tërheqja e ministrit Rakiq nga marrëveshja nuk nënkupton prishje të skemës së grantit të performancës.
“MPL sqaron se granti i performancës është pjesë e projekt-ligjit vjetor të buxhetit për vitin 2021, i cili është miratuar nga Qeveria dhe është adresuar në Parlament”, thuhet në përgjigje.
E, në një deklaratë të përbashkët, kanë reaguar edhe Ambasada e Zvicrës, e Suedisë dhe ajo e Norvegjisë. Në të kanë thënë të jenë të shqetësuara për diskutimet dhe lajmet e fundit për Grantin e Performancës Komunale, të cilin e financojmë së bashku me Ministrinë e Pushtetit Lokal në Kosovë.
“Konsiderojmë se duhet ta informojmë publikun për qëndrimin tonë në këtë drejtim. Granti i Performancës Komunale është skemë e granteve që nxit qeverisjen e mirë dhe ofrimin e mirë të shërbimeve komunale. Gjatë disa viteve të fundit ka treguar përmirësime të matshme në performancën komunale. Ne i vlerësojmë komunat për përpjekjet e tyre dhe i inkurajojmë që të vazhdojnë me përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e tyre”, thuhet në deklaratë. “Granti i Performancës Komunale është shembull i një mekanizmi të drejtë, transparent, teknik dhe besojmë se mund të shërbejë si model për skemat e ardhshme… Grantet duhet t’u ndahen komunave me performancën më të mirë në Kosovë”.
Pas raportimit të KOHËS për dyshimet që lidhen me grantin, ka reaguar edhe Diellor Gashi, drejtor i Departamentit për performancë dhe transparencë komunale në MPL.
Në një pjesë të madhe të sqarimit ai ka thënë të ketë pasur transparencë të plotë në proces, e krahas kësaj është ankuar të mos i jetë dhënë kohë e mjaftueshme për përgjigje, tek u është referuar disa pyetjeve që KOHA ia ka përcjellë të martën.
Por këto nuk janë pyetjet e vetme. Dy javë më parë, atij dhe tre zyrtarëve të Ministrisë u ishin dërguar pyetje për çështjen e njëjtë.
Në sqarim, Gashi është ankuar edhe për diçka tjetër.
“Për më tepër, ju keni cituar një shqetësim timin të postuar në Facebook për këtë çështje. Në pyetjen e mëposhtme ju më drejtoheni se unë kam ‘përqeshur disa kryetarë’”, ka shkruar ai. “I nderuar, nuk ka qenë ‘përqeshje’, por shqetësim i imi rreth deklaratave të Asociacionit”.
Por, në një koment poshtë një postimi me të cilin kishte akuzuar disa kryetarë për shkelës të ligjit e për njerëz që e kanë instrumentalizuar Asociacionin e Komunave, Gashi kishte shkruar: “‘Shkon Imrija, vjen Fazlija’, kjo është fatkeqësia më e madhe”.
Ai ishte pyetur nëse e kishte fjalën për Imri Ahmetin, kryetar i Komunës së Lipjanit, i cili është edhe kryetar i Asociacionit.
Kryetari Ahmeti, ndërkaq, nuk ka pranuar të komentojë mbi akuzat e Gashit.
E, në një letër , në cilësinë e kryetarit të Asociacionit të Komunave, Ahmeti kishte kërkuar nga kryeministri Avdullah Hoti që të ndërmarrë veprime për të shtruar në përgjegjësi zyrtarë të lartë të MPL-së që kanë bërë deklarata fyese për kryetarët e komunave.
Kryeministri nuk ka reflektuar në këtë kërkesë.
“Në ministri nuk ka procedurë të hapur për këtë çështje, në mungesë të fakteve për shkelje të rregullave disiplinore nga zyrtarët e përfolur”, thuhet në një përgjigje të ZKM-së. “Deklarimet në rrjete sociale nuk shprehin qëndrimet zyrtare të Ministrisë dhe këto deklarime hyjnë në fushën e lirisë së shprehjes dhe mendimit të lirë. Në rast të ofendimeve ose shpifjeve, çdokush e ka të drejtën e ndjekjes së tyre sipas ligjit kundër shpifjes dhe fyerjes. Ministria nuk ka mundësi t’ia ndalojë askujt të shprehë mendimin e tij të lirë dhe se trajtimi i tyre mund të iniciohet me padi në gjykata nga palët e dëmtuara”.
Matja dhe vlerësimi i performancës kanë filluar që nga viti 2009. Ky sistem, Kosovën e bënte vendin e vetëm që ka të vendosur një sistem për matjen e performancës së ofrimit të shërbimeve komunale. Ai është ndërtuar fillimisht me mbështetje të USAID-it.