Nëse për mini-shengenin ballkanik nuk ka akoma asgjë të definuar për shkak të hezitimit të Kosovës, Tregu i Përbashkët Rajonal, do t’i bëjë bashkë Kosovën dhe Serbinë. Detaje nga deklarata e përbashkët e Ballkanit Perëndimor…
Sot mbahet Samiti i Sofjes për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor që për shkak të pandemisë do të zhvillohet virtualisht. Samiti mbahet në kuadër të procesit të Berlinit. Gazeta Express ka siguruar deklaratën e përbashkët të Ballkanit Perëndimor ku gjashtë shtetet janë angazhuar për themelimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, ku mallrat dhe njerëzit do të lëvizin lirshëm. Samiti i sotëm është vlerësuar si një moment historik i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor.
Në këtë samit Kosova do të përfaqësohet nga Avdullah Hoti, ndërkaq do të marrë pjesë edhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, Komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi dhe liderë të tjerë të vendeve anëtare të BE-së.
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të njohur si WB6 që përbëhet nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi janë pajtuar që të rrisin bashkëpunimin ekonomik duke themeluar Tregun e Përbashkët Rajonal.
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë miratuar një Plan të Veprimit si hap për të themeluar një Zonë Rajonale Ekonomike.
“Ne, liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë pajtuar për të rritur bashkëpunimin ekonomik në rajon duke zhvilluar Tregun e Përbashkët Rajonal, bazuar në standardet dhe rregullat e Bashkimi Evropian për të rritur atraktivitetin dhe konkurrencën e rajonit për të sjellë rajonin më afër tregjeve të Bashkimit Evropian. Si një nga hapat drejt themelimit të ardhshëm të Tregut të Përbashkët Rajonal, ne miratuam sot në Sofje një Plan Veprimi bazuar në katër liritë dhe pasuruar me fushat e tregtisë, dixhitalit, investimeve, inovacionit dhe industrisë. Me një popullsi prej afro 18 milion njerëz, rajoni ynë është një treg i rëndësishëm për BE’në dhe një zonë tranziti për mallrat evropiane dhe ndërkombëtare, me një fuqi punëtore të aftë për kompanitë e gatshme për të investuar”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Poashtu gjashtë vendet e BP’së kanë deklaruar se të gjitha shtetet duhet të jenë anëtare të BE’së.
“Ne jemi të palëkundur në vendosmërinë tonë për ta parë ËB6 si anëtare të plota të Bashkimit Evropian dhe ta konsiderojmë Tregun e Përbashkët Rajonal një hap në atë drejtim”, thuhet në deklaratë.
Tutje, në Samitin e Sofjes, pjesëmarrësit e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor janë angazhuar që me themelimin e Tregut të Përbashkët Rajonal të zhvillohet lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve.
“Ne jemi të përkushtuar për bashkëpunim rajonal gjithëpërfshirës në mënyrë që të bëhemi anëtarë të plotë të BE-së, pjesëmarrës të barabartë në politikat, programet dhe tregun e vetëm të BE-së, duke u radhitur më tej me rregullat dhe standardet e BE’së dhe duke zgjeruar mundësitë për qytetarët dhe komunitetet e biznesit. Duke zbatuar agjendën e Tregut të Përbashkët Rajonal, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, angazhohet për lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve; rritjen e mundësive të investimeve përmes harmonizimit të politikave të investimeve me standardet e BE’së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare; integrimi i Ballkanit Perëndimor në tregun dixhital pan-Evropian dhe transformimi i sektorëve industrialë, formësimi i zinxhirëve rajonalë të vlerës dhe integrimi i tyre në zinxhirët e vlerave të BE-së për të përgatitur rajonin për realitetet e sotme dhe sfidat e së nesërmes”, thuhet tutje.