ATK tregon se çfarë u sekuestrua në një biznes në Prishtinë pas aksionit të sotëm hetimor

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se sot Departamenti i Hetimeve Tatimore në asistencë të Policisë së Kosovës ka zhvilluar aksion hetimor në Prishtinë.

Me anë të një njoftimi në facebook nga ATK është bërë e ditur se qëllimi i ndërmarrjes së këtij aksioni ishte hetimi i transaksioneve biznesore tek një kompani, të cilat transaksione bazuar në informatat e pranuara nga palët e treta, si dhe krahasimit të tyre me informatat me të cilat disponojmë në databazën e ATK-së, kemi konstatuar mospërputhje të deklarimeve të bëra në ATK ne raport me informatat të cilat janë siguruar nga palët e treta.

Siç theksohet në njoftim, aksioni është zhvilluar ne dy lokacione tek i njëjti biznes, i cili veprimtari primare ka aktivitetet e mjekësisë së specializuar, ku gjatë aktivitetit si provë materiale tek ky biznes janë sekuestruar përkohësisht dokumentacion kontabël, fatura të shitjes së shërbimeve, evidencën e klientëve për shërbimet e kryera ( pagesat ), lista e produkteve në stoqe, 2 USB, ekstraktimi i dosjeve elektronike nga 5 kompjuterë, si dhe shënime të tjera relevante rreth rastit.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tyre, DHTI pas ndjekjes së të gjitha procedurave më Prokurorin dhe pas aprovimit të urdhëresës për bastisje nga ana e Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, me qëllim të sigurimit të fakteve kemi zhvilluar një aksion kontrolli ( bastisje ).

“Pas analizimit të informatave dhe dëshmive të marra rasti do të procedohet në Prokurorinë kompetente dhe për të gjeturat e konstatuara do të jeni të informuar”, përfundon njoftimi i tyre./Buletini Ekonomik/