Kosova përfiton mbi 33 milionë euro nga USAID

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani-Sadriu, ka nënshkruar sot marrëveshjen e grantit për objektivat zhvillimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Kosova përfiton mbi 33 milion dollarë nga USAID-i.

Osmani ka falënderuar popullin amerikan për përkrahjen e vazhdueshme për qytetarët e Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

“Investimi i vazhdueshëm i ShBA-ve përmes projekteve të ndryshme është konfirmim i përkushtimit të përhershëm të Qeverisë dhe popullit amerikan kundrejt rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të përgjithshëm social e ekonomik të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka theksuar Osmani.

Kjo marrëveshje e nënshkruar ndërlidhet me objektivat zhvillimore të USAID-it për pesë vitet e ardhshme. Më të synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike.

Objektivi i parë zhvillimor përqendrohet në mbikëqyrjen e institucioneve nga ana e qytetarëve dhe shoqërisë civile, ndërsa i dyti adopton një qasje më të gjerë ndaj pjesëmarrjes demokratike. Me të synohet përmirësimi dhe bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve, shoqërisë civile, bizneseve dhe sektorit publik në mënyrë që komunitetet lokale të kenë pozicion më të favorshëm për t`i adresuar sfidat zhvillimore të Kosovës.