Mbyllja e veprimtarive të bizneseve për dy ditë, si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ekonomisë së vendit i kushton nga 10 deri 15 milionë euro në ditë, sipas komunitetit të biznesit në Kosovë.
Pas një takimi me përfaqësues të bizneseve, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se masat e marra nga Qeveria i konsiderojnë si të domosdoshme, por është ankuar se për to s’janë konsultuar fare.
“Masat janë të domosdoshme, por kemi një problem me masat e fundit që ishin të pakoordinuara dhe pakonsultuara me komunitetin e biznesit, edhe pse në masë të madhe e prekin këtë komunitet. Janë mbyllur mbi 20 mijë biznese në vend. Nga këto masa janë prekur këto biznese. Do të kenë dëme në shifra që mund të mbërrijnë deri në 10-15 milionë brenda një dite”, ka thënë ai në një konferencë për media.
Rukiqi është ankuar po ashtu se këto mjete nuk do të shpenzohen më në Kosovë as në ditët në vijim për shkak se shumë qytetarë kanë dalë në shtetet e rajonit për të kaluar fundjavën.
Si problem të dytë ka thënë se e shohin lajmërimin e vonshëm të masave. Qeveria të premten pasdite njoftoi se bizneset do të mbyllen nga e premtja në mbrëmje deri të hënën në mëngjes. Po ashtu futi në karantinë shtatë qytete.
Komuniteti i biznesit e ka vlerësuar të vështirë implementimin e këtyre masave, pasi sipas tyre s’ka pasur asnjë interpretim nga autoritetet se cilat janë markete të vogla, që sipas vendimit, lejohet të punojnë. Rukiqi është ankuar për produktet që rrezikojnë të mbesin pa afat e për ato që nuk është e lehtë të ruhen në stok.
Për problem të katërt ka thënë se Kosova s’po ndjek shembujt e shteteve të tjera të botës ku për çdo masë që mund të dëmtojë ekonominë, merret në të njëjtën kohë një masë e stimulimit financiar.
E premtja ishte dita më e rëndë sa i përket rasteve të reja me COVID-19 në Kosovë. Për 24 orë në vend ishin regjistruar 728 raste të reja. Të premten vdiqën 12 persona si pasojë e COVID-19, me të njëjtën shifër të të vdekurve edhe të shtunën. Me 491 rastet e reja të së shtunës, në vend aktualisht janë 6634 raste aktive.
Si pasojë e koronavirusit, në Kosovë kanë vdekur 744 persona.