​Pandemia ndikon edhe në rënien e eksportit të patates

Kompania “Pestova” nga Vushtrria, prodhuese e “Vipa Chips” dhe njëra nga eksportueset më të mëdha, nuk ka shpëtuar pa u prekur nga pandemia COVID-19 dhe masat që u ndërmorën nga të gjitha shtetet për të frenuar përhapjen e këtij virusi.

Pronari i kësaj kompanie, Bedri Kosumi thotë se nga kjo mbyllje dëmet ishin të mëdha sepse përveç që është rrezikuar konsumatori, ka pësuar rënie edhe eksporti i patates, ndërsa janë detyruar ta falin edhe një sasi të konsiderueshme të patates pasi si lëndë e parë nuk ishte shfrytëzuar për prodhim.

“Ne muajin mars, prill edhe maj me të vërtetë ka ndikuar shumë… As ne nuk kemi mbetur as pak të paprekshëm sepse ka qenë ajo mbyllja totale kur direkt është rrezikuar edhe konsumatori, shitja ka rënë dhe pasojat më të mëdha i kemi pasur, ajo sasi e lëndës së parë ose patates që ka qenë e planifikuar për t’u futur në përpunim nuk është hyrë për shkak të rënies së shitjes dhe eksporti i patates gjithashtu ka rënë dhe një sasi bukur të madhe të lëndës së parë, përpos humbjeve që kemi pasur, përqindjen e shitjes në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, do të thotë është krijuar edhe humbja në lëndën e parë dhe ka ndikuar shumë… kanë qenë diku rreth 1300 tonë patate që janë dhuruar, thjeshtë nuk janë hedhur por e kanë marrë konsumatorët”, ka thënë Kosumi.

Reklama e sponzorizuar

E përkundër që Kosova ishte në karantinë dhe kishte mbyllje totale, ai thotë se fermerët ishin shumë më të angazhuar, gjë që ka rezultuar edhe të krijohen rezerva dhe të kenë siguri edhe për vitin tjetër.

“Fundi i marsit, fillimi i prillit kur ka qenë mbjellja, përkundër që ka qenë mbyllje totale për shkak të pandemisë, fermerët kanë qenë shumë të angazhuar, mbjellja është bërë në kohë, dhe kjo në njëfarë mënyrë na ka krijuar një mundësi ose bazë që për vitin tjetër kemi të sigurt sepse i sigurt je kur e ke lëndën e parë dhe lëndën e parë kemi mbërri ta prodhojmë dhe tash e kemi në depo ne dhe fermerët, dhe gjithçka po shpresojmë se do të stabilizohet dhe vitin tjetër të mos i kemi pasojat e vitit që po e lëmë pas”, thotë ai.

Megjithëse lënda e parë sigurohet nga toka e Kosovës dhe mbjellja, ujitja e nxjerrja e patates kishte shkuar mirë, megjithatë, ai thotë se rritja e subvencioneve duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Kosumi kërkon që kulturat bujqësore të kenë përkrahje më të madhe nga shteti, përderisa thekson se duhet të bëhet zvogëlimi i TVSH-së për produktet ushqimore.

Ai si zgjidhje me të mirë, e sheh të bëhet sigurimi i kulturave bujqësore.

“Duhet të hiqet akciza për bujqësi. Humbjet gjatë procesit të prodhimit, edhe më tutje nuk njihen me ligj, kjo duhet të ndodhë. Rritja e subvencioneve duhet edhe në të ardhmen të vazhdojë sepse është një ndihmë shumë e madhe për fermerët dhe prodhuesit primarë, do të thotë për bujqësi në përgjithësi, edhe TVSH-ja në produktet ushqimore dhe produktet tjera të mos jetë e njëjtë por të mos përshkallëzohet ashtu sikur se është në vendet e tjera, nëse jo më shumë, bile ato që i kemi përreth, si dhe sigurimi i kulturave bujqësore nga fatkeqësitë elementare. Edhe më tutje ne nuk kemi sigurim të kulturave bujqësore në fushë të hapur. Gjithmonë ka breshër, vërshime, ngrica dhe kjo mbetët në mëshirën e fatit dhe mandej krijohen probleme që institucionet dhe qeveria nuk mund të përcjellë dhe duhet që sa më shpejtë të punohet në këtë drejtim që t’i jepet mundësia për sigurimin e kulturave bujqësore dhe mandej mbetet te fermeri se a dëshiron të sigurojë apo dëshiron të marrë rrezikun. Kjo është zgjidhja më e mirë”, ka thënë Kosumi.

Kosumi shpreson që të mos ketë mbyllje tjetër të kufijve sepse dëmet do të ishin shumë më të mëdha, pasi kjo kompani eksporton në Maqedoni, Bullgari, Hungari, Gjermani, Suedi, Finlandë si dhe Austria.