Përkrahja e ndërmarrësve të rinj shumë e rëndësishme për krijimin e vendeve të reja të punës

Përkrahja e të rinjëve në ndërmarrësi mund të kontribuojë shumë në zhvillimin ekonomik të vendit, sot dhe në të ardhmen.

Zhvillimi i ndërmarrësisë tek të rinjtë është një mjet i rëndësishëm për zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe potencialit ekonomik të rinisë, si dhe stimulimin e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike. Këto u thanë, mes të tjerash në një forum virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në bashkëpunim me Innovation Centre Kosovo (ICK), në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, gjatë këtij forumi theksoi se nga programet për trajnime profesionale të implementuara nga ministria që ajo drejton kanë përfituar mbi një mijë të rinjë.

Reklama e sponzorizuar

Tutje, Ministrja Dumoshi tha se brenda ministrisë së saj ekziston një strategji dhe program i veçantë për rininë, dhe brenda programit është rritur kriteri i moshës dhe forcuar vullnetarizimi. Ajo gjithashtu theksoi nevojën për rritje të përpjekjeve për të bërë vendin sa më atraktiv për rininë, në mënyrë që të mos ndodh ikja e trurit. Duke u ndërlidhur me planet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrija Dumoshi tha se për vitin e ardhshëm planifikohet të ketë rritje të subvencioneve për të rinjët në ndërmarrësi.

“Si Ministre e Kulturës Rinisë dhe Sportit, në mënyrë të veçantë objektiva ime kryesore ka qenë targeti tek të rinjtë. Për herë të parë këtë vit kanë përfitu 168 ndërmarrës të rinjë të cilët direkt do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik” është shprehur Ministrja.

Dajana Berisha, drejtoreshë ekzekutive e Fondacionit për Iniciativa Qytetare (FIQ) tha se duhet të rritet atraktiviteti i sektorit jo publik për punësim, dhe përkrahja ndaj ndërmarrësisë tek të rinjët në mënyrë që të krijohet një rritje më e qëndrueshme ekonomike.

Tutje, ajo foli për një ndër sukseset e organizatës që drejton, derisa tha se një ndër ta është Programi për Përshpejtimin e Punësimit të të Rinjëve në sektorin e bujqësisë.

Duke u ndërlidhur me sfidat që ndërmarrësit hasin, ajo përmendi mungesën e thirrjeve për përkrahje, ku edhe u bëri thirrje ministrive dhe akterëve përkatës që të mbështesin idetë inovative të ndërmarrësve të rinj, në mënyrë të vazhdueshme.

Berisha gjithashtu theksoi se është e nevojshme të kemi një analizë të mirëfilltë sektoriale, ku të rinjtë të mund të analizojnë më mirë tregun dhe të parashikojnë më mirë të ardhmen e tyre në sektorët ku investojnë.