Rënia më e lartë e prodhimit vendor që nga paslufta

Kosova, për herë të parë që nga paslufta, pritet të përballet me një krizë ekonomike shkalla e së cilës ende nuk dihet. Sipas parashikimeve të fundit të Bankës Botërore, Kosova bën pjesë në vendet ku prodhimtaria në vitin 2020 pritet të bie për 8.8 përqind, përcjell Buletini Ekonomik.

Megjithatë, edhe ecuria e ngadalësimit ekonomik pritet të varet nga disa faktorë, siç janë: aftësia e kontrollimit të shpërndarjes së virusit, efikasiteti i masave ekonomike të ndërmara nga qeveria për të lehtësuar rimëkëmbjen ekonomike, si dhe nga pritshmëritë e konsumatorëve dhe bizneseve për të ardhmen e ekonomisë së vendit.

E një ndër treguesit më të rëndësishëm të ndikimit të pandemisë në ekonomi është Bruto Produkti Vendor (BPV) i cili përmbledh tërë prodhimin e një shteti brenda një periudhe të caktuar.

Reklama e sponzorizuar

Masat parandaluese të përhapjes së pandemisë gjatë këtij gjashtëmujori përballje me pandeminë, kishin shkaktuar rënien më të lartë të prodhimit vendor që nga paslufta duke bërë Bruto Produktin Vendor (BPV) të bie për 9.28 përqind në tremujorin e dytë. Instituti GAP në raportin e fundit të tij, me titull: “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në ekonominë e Kosovës’, ka paraqitur të dhënat për mesatarën e rritjes së BPV-së në shtatë vitet e fundit.

Në bazë të raportit, në shtatë vitet e fundit, mesatarja e rritjes së BPV në tremujorin e parë (janar-mars) ishte 3.82 përqind ndërsa në tremujorin e dytë (prill-qershor) 3.71 përqind. Pas 13 mars 2020, kur aktiviteti ekonomik në Kosovë u mbyll pothuajse i tëri, ndikimi në ekonomi ishte i menjëhershëm duke bërë tremujorin e parë të rritet për vetëm 1.31 përqind apo 2.51 pikë përqindje më pak se mesatarja e viteve të fundit.

Në anën tjetër, meqë koha e mbylljes së ekonomisë dhe rihapja graduale më së shumti i përkasin tremujorit të dytë, pra në muajt prill-maj-qershor, të dhënat e BPV-së tregojnë se prodhimi i brendshëm shënoi rënien më të madhe që nga paslufta me 9.28 përqind.

Sipas studimit nga GAP-i, faktorët që ndikuan në rënien e BPV-së në këtë tremujor ishin formimi i kapitalit bruto me -41.09 përqind dhe eksporti i shërbimeve me -62.93 përqind. Formimi i kapitalit bruto në aspektin biznesor përfshin akumulimin e invertarit biznesor dhe investimet në kapacitete prodhuese ndërsa në aspektin familjar nënkupton blerjen e një shtëpie të re e cila në BPV llogaritet si investim dhe jo konsum.

Rënia e këtij indikatori për dy tremujorë rresht tregon për pritshmëritë e ulëta të bizneseve dhe ekonomive familjare për të ardhmen e ekonomisë. Ndërkohë, në tremujorin e dytë pati rritje të konsumit familjar për 3.47 përqind, eksporti i mallrave për 12.18 përqind dhe shpenzimeve të qeverisë për 8.58 përqind. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/