Pas shfaqjes së pandemisë COVID-19 në Kosovë, Qeveria e Kosovës kishte kufizuar lëvizjen e qytetarëve dhe urdhëroi mbylljen e pjesës dërmuese të ekonomisë për më shumë se dy muaj. Nga kjo mbyllje më së shumti pësuan industritë e ndryshme në sektorin ekonomik kosovar.
Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti shpenzimet e brendshme familjare pësuan ndryshime të mëdha. Konsumi shtëpiak ishte orientuar kryesisht në produkte bazike, si ushqimi dhe shërbimet publike (ujë dhe energji elektrike), ndërkaq bizneset shpenzuan më shumë në digjitalizimin e shërbimeve për të operuar gjatë pandemisë, përcjell Buletini Ekonomik.
Të hyrat e aktiviteteve ekonomike që u prekën më së shumti nga rënia e shpenzimit në tremujorin e dytë ishin ndërtimi me -47.08 përqind, tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor -24.4 përqind, aktivitetet profesionale dhe administrative -16.39 përqind, aktivitetet financiare dhe të sigurimit -6.71 përqind dhe bujqësia, pyjet dhe peshkimi -1.74 përqind. Ky konkludim del nga studimi i fundit i Institutit Gap rreth “Ndikimit të pandemisë COVID-19 në ekonominë e Kosovës’.
Po nga ky studim, del se rritje reale gjatë këtij gjashtëmujori kishin shënuar aktivitetet, si: industria nxjerrëse, përpunuese, energjia elektrike, dhe furnizimi me ujë me 19.8 përqind, informacioni dhe komunikacioni me 29.6%, si dhe administrimi publik, arsimi dhe shëndetësia me 4.73 përqind.
Edhe në ATK ka pasur rënie të madhe të të hyrave tatimore, si pasojë e rënies së qarkullimit të bizneseve. Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), gjatë gjatshtëmujorit të parë të këtij viti u deklaruan rreth 584 milionë euro ose 11 përqind më pak të hyra se në periudhën e njëtë të vitit paraprak.
Nga kjo shumë, më së shumti ndikim pati rënia e qarkullimit të aktiviteteve të tregtisë dhe riparimit të mjeteve motorike që pësuan rënie prej -241.5 milionë eurove, ndërtimtaria me -77.2 milionë, transporti dhe magazinimi me -72 milionë, industria përpunuese me -54.2 milionë euro.
Performanca e dobët e industrive në gjashtëmujorin e parë ndërlidhet më së shumti me mbylljen e ekonomisë për më shumë se dy muaj, e më pas hapjen graduale të disa industrive deri në muajin qershor.
Sipas GAP-it, hapja e bizneseve në mënyrë jo të sinkronizuar paraqet pengesë në realizimin e të hyrave optimale marrë parasysh zinxhirin e furnizimit ku prodhimi i një industrie mund të jetë lëndë e parë për industrinë tjetër. Në këtë situatë ekonomike, disa industri do të pësojnë më shumë se sa të tjerat. Kjo për faktin se qarkullimi i industrive në Kosovë realizohet në formë ciklike ku secila industri në periudha të ndryshme të vitit realizon të hyrat më të larta.
“Industritë që normalisht realizojnë pikun e të hyrave gjatë tremujorit të dytë, këtë vit do ta kenë më të vështirë rikuperimin e humbjeve sepse periudha më e rëndësishme e vitit i gjeti pothuajse tërësisht të mbyllura”, vlerësojnë nga GAP.
Në këtë kategori bëjnë pjesë industria e ndërtimit, patundshmërisë, arteve, argëtimit dhe rekreacionit. Gjatë muajve prill-qershor 2020, industria e ndërtimit deklaroi 37 përqind më pak të hyra, aktivitetet e patundshmërisë -40 përqind, ndërsa industria e arteve, argëtimit dhe rekreacionit -85 përqind më pak se në kohën e njëjtë të vitit të kaluar. Këto janë të hyra të humbura që nuk mund të rikuperohen lehtë brenda vitit sepse piku i këtyre industrive tashmë ka kaluar.
“Prandaj vonesat në implementimin e masave mbështetëse nga qeveria dhe Banka Qendrore mund të rrezikojnë edhe të hyrat e industrive të tjera gjatë muajve të ardhshëm të vitit”, përfundon raporti nga Instituti GAP. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/