Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tre mujorin e parë të vitit 2020, rreth 100 mijë të rinj (të moshës 15 deri 24) në Kosovë nuk ndiqnin shkollimin, nuk ishin të punësuar apo në trajnim dhe përbënin 29.0% të popullsisë së re.
Erleta Rrustemi
Rreth 100 mijë të rinj në Kosovë llogariten krejtësisht të shkëputur nga tregu i punës. Ata nuk janë në punë, as në shkollim e as në ndonjë trajnim.
E njohur si NEET, Kosova prin në rajon me më së shumti të rinj në këtë kategori. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tre mujorin e parë të vitit 2020, 98,542 të rinj (të moshës 15 deri 24) në Kosovë nuk ndiqnin shkollimin, nuk ishin të punësuar apo në trajnim dhe përbënin 29.0 % të popullsisë së re. Pjesa e femrave NEET është 29.1% krahasuar me 29.0% të meshkujve.
Sipas Ylber Aliut, Zyrtar në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, ekzistojnë arsye të ndryshme të joaktivitetit të të rinjëve në Kosovë, duke filluar nga sistemi i edukimit e deri te mosbesimi në institucione.
“Kategoria NEET, që nënkupton të rinjtë që nuk janë të shkolluar, nuk janë në aftësim dhe nuk janë të lajmëruar në zyrat e punësimit ose në agjencitë private për të kërkuar punë është mesatarisht rreth 30% në Kosovë. Kjo e bën që Kosova të ketë numrin më të lartë të kësaj kategorie në rajon”, është shprehur ai.
Vështirësitë me të cilat të rinjtë përballen për të gjetur punë janë nga ato më baziket, si mobiliteti për punë, si dhe mos zhvillimi i shkathësive të buta.
“Zhvillimi i shkathësive të buta që nënkupton njohjen e gjuhëve të huaja, mundëson për të krijuar rrjetizime për prezantime si dhe komunikimi me publik, këto mangësi i pamundësojnë atyre profilizimin dhe profesionalizimin në punë”, ka thënë Aliu.
Problem tjetër është sistemi formal i edukimit, ku shumica e tyre nuk profilizohen në drejtimet që tregu i punës kërkon.
Ndërkaq, i pyetur se çfarë është bërë deri më tani për ketë kategori të të rinjve, Aliu ka pranuar se nuk është bërë mjaftueshëm, duke përmendur si arsye shkallën e lartë të papunësisë në gjithë popullsinë.
Në anën tjetër, mungesa e shkathtësive për profilet që i kërkon tregu po u pamundësojnë shumë të rinjve të gjejnë një vend pune.
A. Ahmeti nga Ferizaj ka lënë në gjysëm shkollën e mesme, në drejtimin natyror, për të ndihmuar familjen e saj për shkak të vështirësive ekonomike.
“Kam provuar ngado, nuk më marrin në punë, e as në punë me zanate nuk po më pranojnë po kërkojnë me pas përvoj pune, e të paktën shkollën e mesme”, thotë ajo.
Papunësia është njëri nga problemet kryesore me të cilin përballet rinia në Kosovë. Sipas statistikave, rreth 50 për qind është papunësia vetëm tek të rinjtë.
Sipas Agjensisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2020, përqindja e popullsisë joaktive në Kosovë është 61.2 %. Pjesëmarrja më e madhe është në mesin e femrave se në mesin e meshkujve, ku 79.7% e femrave janë jo aktive ndësa 42.9% te meshkujt.
Njohësi i ekonomisë, Muhamet Mustafa, thotë se kur është në pyetje punësimi, statistikat aktuale tregojnë për gjendje aspak të mirë.
“Duke kombinuar vlerësimet nga burime të ndryshme brenda vitit janë punësuar diku 10-15,000 veta në forma të ndryshme, e minimumi do të duhej të ishte 25,000-30,000 për të filluar uljen graduale domthënëse të nivelit të papunësisë. Për këtë duhet të rriten investimet për më shumë se 50% në sektorin privat, në prodhim dhe shërbime”, vlerëson Mustafa.
Sipas tij, një arsyeje domethënëse e joaktivitetit të të rinjve lidhet me favorizimet, apo pengesat që burojnë nga nepotizmi, grupet e interesit e deri te ndikimet politike.
Mustafa thotë se një pjesë e të rinjve të punësuar nuk janë të regjistruar si punëtor “formal” për t’i ikur tatimit.
“Llogaritet se rreth 35% e të punësuarve nuk janë “formal” që do thotë nuk janë të punësuar me kontrata dhe se për ta nuk paguhen tatimet e nevojshme në buxhetin e shtetit. Konsiderohet se ikja nga pagesat ligjore të tatimeve dhe kontributeve nga pagat është arsyeja kryesore e informalitatit edhe në sektorin e punësimi”, thotë ai. /Buletini Ekonomik/