Rruga e Komanit, aks i rëndësishëm për aksesin drejt Alpeve do të rikonstruktohet nga KESH-i

Rruga e Komanit , një aks i rëndësishëm për aksesin drejt potencialeve turistike të Alpeve, do të rikonstruktohet nga Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Rikonstruksioni i kësaj rruge veç përmirësimit të eksperiencës turistike duke përfshirë në guida edhe udhëtimin me traget përmes liqenit të Komanit, ka një ndikim të madh edhe në cilësinë e jetës për komunitetet si dhe ofron mundësi për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të zonës.

Rikonstruksioni i kësaj rruge sjell edhe rritjen e sigurisë së lëvizjes në rrugë.

Reklama e sponzorizuar

Lajmi për rikonstruksionin e rrugës u bë i ditur nga kreu I KESH, Benet Beci, gjatë një takimi të mbajtur në Shkodër, ku u prezantua edhe strategjia e përgjegjësisë sociale të koorporatës.

“Jemi drejt përfundimit të projektit me FSHZH-në dhe vitin që vjen nis edhe investimi për ndërtimin e rrugës së Komanit, një projekt ky mjaft i rëndësishëm për korporatën”, tha Beci.

Në kuadër të prezantimit të strategjisë për përgjegjësinë sociale, Beci tha se ka ardhur koha që KESH si çdo korporatë tjetër moderne, nëpërmjet projekteve konkrete të zhvillimit t’ju kthejë diçka mbrapsht komuniteteve që prej vitesh kanë kontribuar në zhvillimin e sistemit energjitik shqiptar.

“E filluam me Shkodrën përreth luginës së Drinit. Strategjia jonë sociale synon t’i japi zonës projekte konkrete për zhvillim në infrastrukturë, turizëm, trashëgimi kulturore si dhe zhvillimin në burime të rinovueshme të energjisë”, u shpreh kreu I KESH-t.

Beci, po ashtu, theksoi se një tjetër projekt është edhe ai i instalimit të paneleve diellore në zonën e Vaut të Dejës.

“Shumë shpejt do të shikoni disa projekte mjaft të rëndësishme për diversifikimin e energjisë, siç është prodhimi me panele diellore i energjisë në zonën e Vaut të Dejës. Kjo ndërhyrje do të japë mundësinë, jo vetëm të trajnimit dhe punësimit të fuqisë punëtore për banorët e zonës, por edhe përdorimin e energjisë diellore dhe përfitimi që sjell ky prodhim i energjisë për zonën do të jetë një kontribut kryesor në ekonominë e të ardhurave të zonës”, bëri të ditur Beci/ATSH.