Shqipëria dhe Kosova me më pak banka në raport me popullsinë

Euro

Bashkimet dhe shitblerjet e bankave e kanë ulur ndjeshëm numrin e degëve bankare në raport me popullsinë e vendit. Të dhënat nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) tregojnë se vitin e kaluar Shqipëria numëronte 18.71 degë bankare për 100 mijë banorë.

Ky tregues ka ardhur duke u ulur në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 2014, kur shënohej niveli prej 22.07 degësh për 100 mijë banorë. Pas vitit 2015, sektori bankar shqiptar hyri në një proces përqendrimi, që e uli numrin e bankave të licencuara nga 16 në 12. Kjo ka sjellë mbylljen e një numri të konsiderueshëm të degëve dhe agjencive bankare.

Aktualisht, Shqipëria ka depërtimin e dytë më të ulët të degëve bankare në popullsi, pas Kosovës, me 16.16 degë për 100 mijë banorë.

Reklama e sponzorizuar

Mali i Zi është shteti me numrin më të lartë të degëve bankare në raport me popullsinë, me 40.85 për 100 mijë banorë, i ndjekur nga Bosnja me 30.01, Serbia me 27.6 dhe Maqedonia e Veriut me 24.11.

Përgjithësisht, tendenca e depërtimit të njësive fizike të shërbimit bankar është në rënie në të gjitha vendet e rajonit. Kriza e zgjatur ekonomike solli rritje të raportit të kredive me probleme dhe ulje të fitimeve të bankave. Nevoja për një kontroll më rigoroz të shpenzimeve bëri që shumica e bankave të frenonim zgjerimin e rrjetit, madje të mbyllnin një pjesë të degëve ekzistuese.

Paralelisht, kriza përkoi me shpejtimin e procesit të dixhitalizimit të shërbimeve bankare. Bankat po tentojnë të zhvendosin gjithnjë e më shumë shërbime nga degët e tyre drejt kanaleve automatike dhe elektronike.

Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, sektori bankar shqiptar numëron 416 degë. Që nga fundi i vitit 2011, kur zgjerimi i bankave arriti kulmin, sistemi bankar ka mbyllur gjithsej rreth 160 degë. Ulja e numrit të degëve ka pakësuar edhe numrin e bankomateve në raport me popullsinë.

Sipas shifrave të FMN-së, Shqipëria ka afërsisht 30 bankomate për 100 mijë banorë, nga 34.75 që kishte qenë ky numër në vitin 2014. Shqipëria ka depërtimin më të ulët të këtyre pajisjeve në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në vendet e tjera, ky tregues luhatet nga 35.32 në rastin e Kosovës, në më shumë se 81 për 100 mijë banorë në Mal të Zi./Monitor.al/