Shtatë komuna të Kosovës pritet të futen në karantinë nga dita e premte, ka njoftuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, teksa ka thënë se nga ora 19:00 në këto komuna do të ketë edhe orë policore për qytetarët.
Ai ka folur për një varg masash që do të merren për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Këto, sipas Hotit, janë ende propozime, të cilat sot do t’u dërgohen ministrave të kabinetit për shqyrtim dhe votim. Nëse votohen, për çka Hoti nuk ka shprehur asnjë dyshim, atëherë do të futen në fuqi të premten në orën 19.00
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se situata me pandeminë është tepër e rëndë.
Ai në një konferencë për media që po e mban, ku edhe do të shpalosë masat e reja anti-COVID, ka thënë se projeksionet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë tejet pesimiste.
“Situata është tepër e rëndë, ne kemi përgatitur të dhënat konkrete që t’i shohin të gjithë qytetarët. Duke pas parasysh kapacitetet ne duhet të kujdesemi për masa me specifike. Testimet janë trefishuar në javët e fundit, numri i rasteve pozitive është rreth 1 në 3 që testohen, e ndonjëherë edhe deri në 50 për qind dalin pozitive. Edhe rastet fatale janë në rritje. Projeksionet e IKSHPK-së janë mjaft pesimisite”, ka thënë Hoti.
Hoti ka prezantuar hartën me shkallën e infeksioneve për 100 mijë banorë, duke thënë se Qeveria po shikon që t’i ulë këto shifra.
“E masat e ndërmarra na e përmirësuan situatën, por kur u kthye pandemia në regjion kemi edhe ne rritje. Është bërë riorganizimi, e kemi 838 numrin e shtretërve. Edhe numri me qasje ne oksigjen është rritur. 626 pacientë janë të shtrirë në QKUK dhe spitale”, ka thënë ai.
Harta është ndarë në tri grupe të komunave:
Grupi i rrezikut të ulët me ngjyrë të gjelbër me numër të të infektuarve për 100 mijë banorë është nën 75.
Portokalli ku shkon nga 76 deri në 150 raste të reja në 100 mijë banorë; dhe
Të kuqe, në rrezikun më të lartë, ku numri i të infektuarve brenda javës tejkalon shifrën e 150 rasteve të reja në 100 mijë banorë.