Zyrtarët shtetërorë nga ky nëntor do të mund të përfitojnë mëditjet për punëtoritë që ministritë apo agjencitë shtetërore do t’i organizojnë në vend.
Si pasojë e COVID-19, shteti s’po arrin të organizojë punëtori jashtë vendit. Megjithatë, Ministria e Financave ka vendosur të mos i lërë me xhepa të zbrazur zyrtarët shtetërorë, duke ua mundësuar të përfitojnë përmes punëtorive brenda territorit të Kosovës.
Në një vendim të marrë më 5 nëntor, Ministria e Financave ka vendosur që zyrtarëve të ministrive dhe agjencive që marrin pjesë në punëtoritë e organizuara brenda Kosovës t’ua ndajë nga 16 euro për një ditë të plotë, dhe dy herë nga tetë euro për ditën e nisjes dhe të kthimit nga punëtoria.
Sipas vendimit të siguruar nga KOHA, maksimumi i ditëve për të cilat do të mbulohen shpenzimet brenda një muaji, nuk mund të kalojë shtatëditëshin.
Procesi për kryerjen e pagesave është i ngjashëm me ato që kryheshin për udhëtimet jashtë vendit, por që tash s’po mund të organizohen për shkak të COVID-19.