Shtohen kërkesat e të diplomuarve për t’u larguar nga vendi

700 persona kanë aplikuar vetëm në muajin tetor të këtij viti në Qendrën Kombëtare për njohje dhe informim akademik e njohur si “NARIC Kosova” për ta validuar diplomën e fituar në Kosovë, me qëllim të përdorimit jashtë vendit. Rreth 70 për qind e aplikuesve i kanë nisur këto procedura për të kërkuar punë jashtë Kosovës dhe vetëm 30 për qind për vazhdim të studimeve.

Kjo e dhënë ka dalë në raportin e “Monitorimit të NARIC Kosova”, të cilin e ka publikuar organizata ORCA. Sipas raportit, numri i aplikimeve për validim në këtë qendër është 70 për qind më i lartë se vitet e kaluara.

Drejtori i Organizatës ORCA, Rron Gjinovci, ka përmendur sfidat me të cilat po ballafaqohet NARIC, siç është humbja e rasteve në gjykatë. Kohë më parë një kandidati të diplomuar në Swiss Menagment Center në Zvicër nuk i ishte njohur diploma nga NARIC, por pasi kishte bërë padi, Gjykata e kishte obliguar Ministrinë e Arsimit t’ia njohë atë.

Reklama e sponzorizuar

Kjo, sipas Gjinovcit, ka krijuar precedent për njohje të gradës së doktoratës edhe të 7 personave të tjerë.

“Kjo mundet me ndodhë për shkak të sistemit të korruptuar gjyqësor, por për më tepër edhe për shkak se avokatura e shtetit me ose pa vetëdije e ka sabotuar qendrën NARIC duke mos marrë pjesë avokati që është dashur ta mbrojë qendrën NARIC. Si rrjedhojë, vendimet e dobëta të zyrës ligjore të Ministrisë kanë qenë lehtë të sfidueshme nga avokatët e palës tjetër, që kanë arritur me marrë një vendim që gjykata me u lëshuar në ekspertizë akademike dhe me njohur një diplomë”, ka thënë ai.

Sipas tij, NARIC përballet edhe me probleme të tjera, si mungesa e një databaze digjitale që do të mundësonte ruajtjen e të dhënave për njohje dhe barasvlerë të diplomave. Po ashtu, mungesa e një ligji që e rregullon punën e NARIC, si dhe mungesa e stafit në këtë institucion.

Në raportin e ORCA-s bëhet e ditur se nga janari deri në tetor, NARIC ka njohur 663 diploma. Ndërkaq, edhe 194 diploma mbeten në proces për të cilat ende nuk kanë dhënë përgjigje institucionet jashtë Kosovës, ku palët i kanë përfunduar studimet. Prej tyre, në pritje janë 68 diploma nga Shqipëria, 47 nga Maqedonia e Veriut dhe 79 nga vende të tjera.