Minatorët e minierës së “Trepçës” në Stantërg kanë ndërprerë punën në këtë minierë për shkak të mos marrjes së pagave për muajin e kaluar.
Disa prej tyre po qëndrojnë në hapësirat e restorantit, ndërsa te tjerët në oborrin e kësaj ndërmarrjeje.
Gani Osmani, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të kësaj miniere, ka konfirmuar për KosovaPress se minatorët janë në grevë, duke bërë të ditur se arsyeja e vetme për ndërprerjen e punës janë pagat.
Sipas tij, që nga dita e djeshme ndërrimi i dytë dhe i tretë nuk kanë punuar dhe atyre u është bashkangjitur sot edhe ndërrimi i parë, ndërsa tha se kjo gjendje do të vazhdojë derisa të mos zgjidhet ky problem.
“E vetmja arsye pse jemi në grevë janë pagat e muajit tetor. Kemi biseduar me menaxherin i cili na ka thënë se për momentin nuk ka mjete. Nuk dimë kur do t’i marrim pagat, por deri atëherë ne nuk do të punojmë”, ka thënë Osmani.
KosovaPress ka tentuar të kontaktojë edhe me menaxherin e kësaj ndërmarrje, por pa sukses.