Vetëvendosje i demanton akuzat e Bekë Berishës për punësime familjare në AKP: Rozeta Hajdari nuk ka vajzë

Akuzave të deputetit të AAK-së, Bekë Berisha, drejtuar disa zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për gjojase disa punësime familjare nëpër institucione, u është përgjigjur zëdhënësi i kësaj partie, Përparim Kryeziu.

Kryeziu në një bisedë për Gazeta Blic, ka sqaruar një për një, secilën akuzë të bërë nga deputeti Bekë Berisha.

Ai ka thënë se vajza e Shpejtim Bulliqit, është angazhuar në AKP që nga marsi i vitit 2019, në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje nuk ishte fare në qeveri.

Reklama e sponzorizuar

Berisha tha se ish-ministrja Rozeta Hajdari ka punësuar vajzën në AKP, por Kryeziu thotë se ajo (Rozeta Hajdari), nuk ka vajzë.

Kurse, në lidhje me “balldëskën” e z.Kurtit: ne fakt bëhet fjalë për motren e gruas se vellaut te z. Kurti, znj. Nermin Pakashtica. Ajo punon në ketë institucion që nga viti 2007, që kur i njëjti quhej AKM, dhe në këtë pozitë është punësuar përmes një paneli intervistues ndërkomëbëtar.

“Në lidhje me vajzën e Shpejtim Bulliqit; ajo është e angazhuar në AKP që nga mars 2019. Në lidhje me vajzën e Rozeta Hajdarit: Rozeta nuk ka vajzë. Në lidhje me “balldëskën” e z.Kurtit: ne fakt bëhet fjalë për motrën e gruas së vëllaut të z. Kurti, znj. Nermin Pakashtica. Ajo punon në këtë institucion që nga viti 2007, që kur i njëjti quhej AKM, dhe në këtë pozitë është punësuar përmes një paneli intervistues ndërkombëtar. Në lidhje me djalin e anëtarit të kryesisë së LV-së Hydajet Hysenit: ai punon aty si zëdhënës për shumë vite, që kur AKP quhej AKM”, ka thënë ai.

“Pra, si përfundim, personat e lakuar janë aty si rezultat i përgatitjeve dhe kualifikimeve të tyre, dhe nuk kanë asgjë të bëjnë me udhëheqjen qendrore shkurt – qershor 2020 të LV-së, sikundër u provua sot të thuhet nga deputeti Bekë Berisha i cili keqpërdori pozitën dhe hapësirën në komisionin hetimor. T’i kthehemi tash gjërave që me të vërtetë kanë rëndësi e që u diskutuan sot gjatë mbledhjes së komisionit hetimor sikur skema Haradinaj-Tolaj-Vishaj për të kontrolluar për përfitime të tyre AKP-në”, ka thënë Kryeziu.

Ndërkaq, akuzave të Berishës i është kundërpërgjigjur edhe deputetja e kësaj partie, Mimoza Kusari-Lila, pasi deputeti i AAK-së përmendi punësimin e tezës së deputetes në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Në reagimin e saj në Facebook, Kusari-Lila, thotë se deputeti Berisha ka abuzuar skajshëm me pozitën dhe hapësirën në Komisionin Hetimor për privatizimet në Kosovë

“Besa Belegu, kusherina ime në AKP dikur AKM, është punësuar me 1 Nëntor, 2005 në këtë institucion, në kohën kur organizata menaxhohej nga shtylla e katërt e UNMIK-ut. Në atë kohë dhe as në vitet pasuese deri me 2009, nuk kam qenë pjesë e politikës në Kosovë. Andaj, çfarëdo tentimi për ndërlidhje të natyrës “hajt se të gjithë keni dërgu njerëz atje” është abuzim, është manipulim dhe është cenim i të drejtës elementare të individëve të përmendur”, shkruan Kusari-Lila në Facebook