Ku do të shkojë buxheti 2.7 miliardësh që u votua dje në Kuvend?

Mbrëmë, deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash kanë miratuar buxhetin prej 2 miliardë e 748 milionë euro për vitin 2022.

Mirëpo, cilët janë sektorët që pritet t’i shpenzojnë këto mjete?

Shumica e të hollave nga buxheti 2.7 miliardësh, pritet të shkojnë për skemat sociale, arsim, shëndetësi e infrastrukturë. Qeveritarët u zotuan se ky buxhet para së gjithash reflekton gjithpërfshirje dhe investime të shumta në shumë sektorë, dhe njëherit është edhe buxheti më i lartë që ka pasur Republika e Kosovës ndonjëherë.

Reklama e sponzorizuar

Nga njoftimet zyrtare të Qeverisë, thuhet se ky ligj siguron qëndrueshmëri të financave publike, ringjallje të ekonomisë e orientim drejt prodhimit vendor, përkrahje të punësimit e fuqizim të grave, si dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e rritje të mirëqenies qytetare.

Shuma më e madhe nga buxheti i 2022-s, më saktësisht mbi 700 milionë euro, do të shkojnë për sektorin e arsimit, shëndetësisë, kulturës, infrastrukturës dhe sigurisë, kurse 20 milionë tjera janë ndarë ndarë për skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë e vendit.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, sa i përket investimeve janë ndarë 40 milionë euro për prodhuesit vendorë dhe 40 milionë euro për ringritjen e ndërmarrjeve publike, përcjell Buletini Ekonomik.

Po ashtu, nga ky buxhet janë ndarë edhe 45 milionë euro për shtesat për lehona dhe fëmijë si dhe 35 milionë euro tjera për skemat sociale e pensionale.

Në anën tjetër, të hyrat buxhetore për vitin 2022, priten të jenë në vlerë të 2 miliardë e 364 milionë eurove. (M. Shabani) /Buletini Ekonomik/