AKP merr nën administrim ndërmarrjen ‘Inex Sharr Pllanina Brezovica’

Agjencia Kosovare e Privatizimit -(AKP)

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka njoftuar se ka marrë nën administrim të saj Ndërmarrjen Shoqërore ‘Inex Sharr Pllanina Brezovica’.

Ky vendim është marrë gjatë ditës së sotme gjatë mbledhjes së Bordit të Drejtorëve të AKP-së, bën me dije komunikata e lëshuar nga ky institucion.

Në këtë mbledhje, Bordi i Drejtorëve të kësaj agjencia gjithashtu ka miratuar edhe një varg kërkesash për qiradhënie, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Sipas komunikatës, Bordi i AKP-së thuhet se ka diskutuar dhe miratuar futjen në likuidim të 12 ndërmarrjeve shoqërore, si dhe ka shqyrtuar  miratuar propozimet e autoriteteve të likuidimit lidhur me shpërndarje të përkohshme dhe përfundimtare për Ndërmarrjet Shoqërore në vijim: N.Sh Stacioni i Veterinës në shumën prej 63.98 euro; N.Sh ELMONT, në shumën prej 10,130.88 euro; N.Sh AUTO MOTO START në shumën prej: 485.10 euro; N.Sh BIP BEOGRAD në shumën prej 4,861.66 euro dhe N.Sh E.N.G BETON në shumën prej 265,592.09 euro.

Ndërkaq, AKP-ja thotë se për shkak të gjendjes së rënduar në menaxhimin e NSH Inex Sharr Planina Brezovica dhe me qëllim të përmirësimit të afarizmit dhe efikasitetit, Bordi i Drejtorëve në bazë të kompetencës së tij ligjore, mori vendimin për futje të saj në Administrim Direkt të AKP-së.

“Kjo masë ka për qëllim mbështetjen e drejtpërdrejtë të rritjes së transparencës, afarizmit dhe llogaridhënies së NSH Inex Sharr Planina Brezovica”, përfundon komunikata. /Buletini Ekonomik/