Autoriteti i Konkurrencës heton KEDS-in dhe KESCO-n

Autoriteti i Konkurrencës këtë të premte do të nisë zyrtarisht procedurat për hetimin ndaj ndërmarrjeve KEDS dhe KESKO të cilat operojnë në tregun e energjisë elektrike.

Sikur mëson Klan Kosova përmes burimeve, dyshimet e Autoritetit të Konkurrencës – të cilat janë ngritur pas shqyrtimit paraprak – janë se këto ndërmarrje kanë shkelur nenet 4 dhe 11 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Më konkretisht, dyshohet se këto ndërmarrje kanë bërë marrëveshje të ndaluar apo praktikë të bashkërenduar dhe kanë abuzuar me pozitën dominuese.

Reklama e sponzorizuar

Siç mëson Klan Kosova, KEDS kishte kushtëzuar investitorët, që ku është bërë investimi i trafostacionit, përveç pajisjeve por edhe pronën ku gjendet trafostacioni të bartet në pronësi të KEDS-it, në të kundërtën nuk ua lëshon rrymën.

Autoriteti i Konkurrencës pritet të mbajë të premten një konferencë për media ku siç merret vesh edhe zyrtarisht do të kërkohet përfshirja e Prokurorisë Speciale për t’i hetuar këto dyshime. Ditë më parë kreu i AKK-së, në rrjetet sociale kishte kërkuar ndihmën e Prokurorisë Speciale për të hetuar një rast porse nuk kishte dhënë detaje të tjera.