Ndonëse e votuan Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), deputeti i kësaj partie Ferat Shala po dyshon se Ligji favorizon grupet e interesit, të cilët shkatërrojnë ekonominë.
Deputeti Shala ka shprehur shqetësimin e tij se me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike të miratuar javën e kaluar në Kuvend, siç tha ai i cili sjell çrregullime në sektorin minerar.
Shala në Komisionin Parlamentar për Ekonomi tha se në emër të Pakos për Rimëkëmbje po u hapet rrugë keqbërësve në sektorin minerar, duke hequr rentën minerare.
“Tantiema ka me nxjerrë telashe procedurale, administrative, menaxhuese dhe është një portë e hapur për keq menaxhim dhe bastardim të procesit të sektorit minerar. Nisur nga fakti që tantiema nuk ka as datë fikse as kohë fikse, është hequr pa analizë, pa kriter dhe pa e ditur ndikimin se cilës kompani po e ndihmojnë e cilën po e dëmtojnë. Është barazua sektori privat me atë publik. Është barazuar KEK-u me një ndërmarrje minerare private me një gurore. I është hequr tantiema Sharr Cemit, Feroniklit, KEK-ut, Trepçës, por edhe dhjetëra kompanive. A është Pako e rimëkëmbjes kjo apo është favor i grupeve të interesit që donë me shkatërru ekonominë? Ky është tentim për manipulim dhe për këtë ‘hi syve’ nuk mundet me na hedhë askush në emër të Pakos dhe Rimëkëmbjes me degraduar komplet një sektor dhe me hapet shtegu për keqbërësit në këtë sektor”, thekson Shala.
Edhe deputetja Mimoza Kusari-Lila tha se heqja e tantiemës sjellë përfitime të drejtpërdrejta për individ dhe adresa të caktuara, duke sjellë edhe çrregullime në sektorin minerar.
“Këto çështje janë ngritë atë ditë në seancë dhe i kemi ngritë si grup parlamentar për dy amendamente të deputetit Gazmend Abrashi për arsye se që të dyja kanë sjellë përfitime të drejtpërdrejta për individ dhe adresa të caktuara, duke sjellë edhe çrregullime në sektor”, tha Kusari-Lila.
Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike i dekretuar nga presidentja është publikuar dje edhe në Gazetën Zyrtare.
Ndërsa, ka dështuar raportimi i ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi lidhur me rekomandimet e dala nga “Raporti për vendin për vitin 2020, i Komisionit Evropian”, për shkak të mungesës së ministrit i cili është i infektuar me COVID-19, dhe vazhdon të jetë i izoluar.
Po ashtu edhe shqyrtimi i raportit të Qeverisë me propozimin e kandidatëve për anëtarë të Bordit të ARKEP është shtyrë për ditën e enjte para seancës së Kuvendit. Kundër shtyrjes së këtij shqyrtimi ishte deputeti Pak Lekaj, i cili tha se është me rëndësi që të zgjidhen sa më parë anëtarët e bordit të ARKEP.
Ndërsa, deputetja Mimoza Kusari-Lila ka thënë se për të biseduar për zgjedhjen e bordit të ARKEP-it është e nevojshme një mbledhje e veçantë. Komisioni ka miratuar edhe rekomandimet e dala për vendin për vitin 2020, i Komisionit Evropian. /KP/