Barrë ndaj taksapaguesve do të jetë kostoja e tarifës së Burimeve të Energjisë së Ripërtëritshme, e cila pritet të subvencionohet nga Qeveria për pesë muajt e parë të vitit të ardhshëm. Edhe pse ky nen, që është përfshirë në Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, sipas deputetëve të Vetëvendosjes, do të rëndojë taksapaguesit e varfër. Ndërkohë deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi, thotë se kjo është një lehtësim për të gjithë konsumatorët në këtë kohë të pandemisë
Prishtinë, 20 dhjetor – Pas lirimit nga pagesa e rentës minerare në vlerë rreth 15 milionë euro, Qeveria pritet që të subvencionojë edhe tarifën e Burimeve të Ripërtëritshme për pesë muajt e parë të vitit të ardhshëm. Kjo kap vlerën rreth 10 milionë euro, që do të jetë barrë për taksapaguesit.
Kjo mbështetje është paraparë përmes Ligjit për rimëkëmbje ekonomike. Fillimisht Grupi parlamentar i AAK-së kishte propozuar mbështetje për konsumatorët e mëdhenj, e që nuk hynin edhe amvisëritë.
Por ky nen ishte ndryshuar brenda seancës, duke përfshirë të gjithë konsumatorët.
Me gjithë ndryshimin, sipas deputetëve të Vetëvendosjes, ky nen po i vihet barrë taksapaguesit të varfër që do të mbulojë koston e biznesmenëve.
Deputeti Hekuran Murati ka thënë se AAK-ja fillimisht kishte propozuar që të paguhet kjo tarifë për konsumatorët që janë të kyçur në nivele 220kw, 110kw dhe 35kw.
Kjo, sipas tij, ishte e planifikuar që të bëhej për konsumatorë të caktuar, duke e përmend këtu edhe Fabrikën e Ferronikelit.
“Në seancë janë ndryshuar këto dy amendamente dhe janë riformuluar dhe janë zgjeruar duke thënë se hiqen të gjitha për të gjithë punëtorët dhe është bërë edhe subvencionimi i të gjithëve. Këtë e quajnë rimëkëmbje. Shuma vjetore për të dyja është diku 60 milionë euro. Kjo qeveri duhet t’i përmbushë kushtëzimet dhe apetitet e koalicionit”, ka thënë ai.
Por deputeti Gazmend Abrashi ka thënë se kjo masë është për të ndihmuar të gjitha bizneset në këtë kohë pandemie dhe se nuk ka të bëjë me ndonjë kompani të caktuar.
“Efektin e taksës do ta hetojë më së shumti amvisëria, e cila bën pjesë diku 69 për qind, por edhe një pjesë e industrisë që do të jetë një ndihmë më e vogël që mund t’ia jep kjo Qeveri për të mundur që të mbajnë gjallë vendet e punës, për të cilat ju shumë mirë e dini që diku rreth 35 mijë njerëz i kanë humbur vendet e punës gjatë kohës me virusin COVID-19”, ka theksuar ai.
Ndërkohë, nga shoqëria civile janë shprehur skeptikë sa i përket këtij neni, pasi krijon një subvencionim të drejtpërdrejtë nga ana e shtetit.
Dardan Abazi nga Instituti INDEP ka thënë se është skeptik sa i përket këtij neni, pasi, siç ka thënë, nuk është i mjaftueshëm si masë, por në anën tjetër është i diskutueshëm pasi krijon një subvencion të drejtpërdrejtë nga ana e shtetit.
“Ne i kemi propozuar Qeverisë se duhet të merren disa masa të tjera për shembull, duhet futur ankandet dhe të bëhet plotësimi i Ligjit për energji dhe jo ai i rregullatorit të energjisë, në atë mënyrë që të futen ankandet në skemën e mbështetjes së burimeve të ripërtëritshme dhe në fund të zëvendësohet sistemi i tarifave nxitëse, pastaj kemi propozuar që të ketë iniciativa të tjera për konsumatorët shtëpiakë, pra që të hiqet TVSh në energjinë solare në mënyrë që të ulet konsumi i konsumatorëve dhe ata të kenë mundësi që të prodhojnë vetë energji që konsumojnë dhe këtë ta kenë më lehtë me një çmim më të lirë”, ka theksuar ai.
Sipas tij, të gjitha këto për fat të keq nuk i përmban Ligji për rimëkëmbjen e energjisë dhe ne konsiderojmë që megjithatë duhet parë dhe pritur që Qeveria të sjellë legjislacione që do të plotësojnë në plotin këtë.
Ka thënë se rimëkëmbja duhet të jetë e gjelbër dhe se mund të jetë e tillë vetëm nëse përfshin elementet e cekura.
“Për fat të keq këto nuk i përfshin Ligji për rimëkëmbje të energjisë, por shpresojmë që Qeveria të sjellë ligje të tjera për të kompletuar rimëkëmbjen në fushën e energjisë”, ka thënë ai.
KOHA ka raportuar se lirimi nga pagesa i rentës minerare për 229 kompani do ta dëmtojë buxhetin e Kosovës për vitin e ardhshëm për afro 15 milionë euro. Favorizimi i kompanive që sipas raporteve nga terreni nuk kufizuan aktivitetin gjatë pandemisë është bërë në Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, për periudhën prej pesë muajve (janar – maj 2021).
Madje, sipas të dhënave të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, në pesëmujorin e parë të këtij viti kompanitë kanë operuar më mirë sesa në dy vjetët paraprakë.
Nga KPMM-ja kanë thënë se gjatë vitit 2019 janë inkasuar më shumë se 30 milionë euro nga renta minerare. Për rentë metalore janë inkasuar 2 milionë e 423 mijë euro, për rentë jometalore janë 3 milionë e 634 mijë euro, ndërsa për energjetikë (operimi i KEK-ut) janë inkasuar 23 milionë e 326 mijë euro. Në periudhën janar – maj të këtij viti, kompanitë kanë paguar afro 15 milionë euro, ndryshe nga një vit më parë kur shuma për të njëjtën periudhë ishte për 180 mijë euro më pak.
Drejtori i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Ramiz Krasniqi, ka thënë se kompanitë që do të lirohen nga renta minerare nuk kanë pasur kufizim të punës gjatë pandemisë.
“Ndërmarrjet që kanë pasur prodhimtari, janë të gjitha këto ndërmarrje që kanë pasur punë dhe shitje të punës së tyre. Puna e KPMM-së nuk është ndërprerë asnjë ditë dhe ne kemi realizuar kërkesat e tyre. Të hyrat që i kemi pasur për këtë pesëmujor që janë diku mbi 15 milionë, tregojnë se ndërmarrjet kanë punuar vazhdimisht”, ka theksuar Krasniqi
Kompanitë gjatë kësaj periudhe, sipas tij, mund të shfrytëzojnë situatën duke nxjerrë më tepër material të nevojshëm, për të siguruar për gjithë vitin. Ai ka treguar se janë në kontakt me Qeverinë dhe Kuvendin që të nxjerrin një vendim që ndërmarrjet që lirohen nga tarifa e rentës të bëhet përmes planit që kanë dorëzuar, në mënyrë që të mos shfrytëzohet situata.
Lirimi i pagesës së rentës minerare parashihet që të bëhet nga 1 janari deri më 31 maj sipas Ligjit për rimëkëmbje ekonomike i miratuar më 4 dhjetor nga Kuvendi i Kosovës. Renta minerare është shuma që duhet të paguajnë kompanitë për shfrytëzim të resurseve. Gurthyesit paguajnë 0.50 euro për metër kub, ndërsa KEK-u paguan 3 euro për metër kub për qymyr.