Kundërshtimet dhe shkeljet ligjore nuk i zmbrapsin investitorët për të ndërtuar hidrocentrale

Shkeljet ligjore, dëmet mjedisore, kundërshtimet e banorëve e të shoqërisë civile nuk i kanë zmbrapsur austriakët për të investuar në hidrocentrale. Kompanitë austriake me emra të ndryshëm, por me adresë e pronarë të njëjtë, “Kelkos Energy” dhe “Enerkos”, kanë aplikuar me projekte për ndërtimin e hidrocentraleve në Lumardhin e Pejës dhe në Zhur të Prizrenit. Ato janë në mesin e 35 investitorëve që kanë aplikuar për të marrë statusin e investitorit strategjik. Edhe pse projekti në Lumbardh është pezulluar shkaku i protestave, projekti në Zhur është ende në fazë të shqyrtimit të aplikacionit.

Sipas Raportit për investitorë strategjikë, nga 35 aplikues, 21 janë në sektorin e energjisë me infrastrukturë dhe miniera, prej të cilëve pesë me projekte për ndërtimin e hidrocentraleve.

Me projekte për ndërtim të hidrocentraleve kanë aplikuar kompania kosovaro-italiane “Consorzio Altair” (Renerko), që parasheh investime në vlerë 30 milionë euro në Erenik të Gjakovës.

Reklama e sponzorizuar

Por vitin e kaluar në këtë komunë janë organizuar protesta dhe peticione nga shoqëria civile, duke kërkuar që të mos ndërtohen hidrocentrale në Erenik. Protesta për ndërtime të hidrocentraleve në Erenik ka pasur edhe në Komunën e Junikut.

Interesim për ndërtimin e hidrocentralit ka shprehur edhe një kompani kosovare-turke, “EuroKos”. Ajo po planifikon që të ndërtojë me kapacitetet prej 250-megavatesh. Vlera e Investimeve që parasheh kjo kompani është 460 milionë euro. Kjo kompani më 5 qershor kishte nënshkruar marrëveshjen për kyçje në sistemin transmetues të Hidrocentralit Reverzibil Drini me kapacitet instalues 250 MW.

Me projekt për hidrocentral ka aplikuar edhe kompania “HH Invest AB” në Bjeshkët e Sharrit në Prizren. Në raport nuk janë dhënë detaje lidhur me vlerën e projektit.

Nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit kanë thënë se gjithçka është në nivel aplikimi e shqyrtimi fillestar, dhe se nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim. Në një përgjigje me shkrim kanë thënë se procesi i investimeve strategjike është në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, por se edhe MEA-ja është pjesëmarrëse në takimet e rregullta të grupit.

“Nga ajo që dimë ne, është se ka një numër aplikimesh që lidhen me gjenerimin e energjisë së ripërtëritshme, sikur është hidroenergjia, energjia solare dhe energjia me erë”, thuhet në përgjigjen e MEA-së. Kjo ministri bën të ditur se në rast se procedohet më tutje ndonjë aplikim në këtë fushë, do ta trajtojë secilën lëndë brenda dispozitave ligjore, duke respektuar ambientin dhe të gjitha parakushtet që duhen plotësuar.

“Shkeljet në dëm të lumenjve”

Ndërkohë, Afrim Lajçi, ekspert i ujërave, ka thënë se procesi i licencimit të hidrocentraleve nuk duhet të bëhet siç ka ndodhur deri më tani, me shkelje ligjore.

“Ky proces është menaxhuar keq, ka pasur mungesë të transparencës, ka pasur edhe shkelje ligjore, për shembull është shkelur Ligji për ujëra, ligji bazik, për faktin se e drejta për shfrytëzimin e ujit është dhënë me leje ujore, e në realitet me ligj përcaktohet qartë se duhet të jepet me koncesion, që nënkupton një proces konkurrues, para së gjithash, një proces transparent dhe kjo nuk ka ndodhur në praktikë”, ka thënë ai.

Sipas tij, në 10 vjetët e fundit ka një hov të shtuar në interesimin e investitorëve për ndërtimin e hidrocentraleve.

“Kjo vjen si rezultat i synimeve që ka shpallur Qeveria jonë për arritjen e caqeve të përcaktuara për energjinë e ripërtëritshme dhe interesimi i investitorëve për hidrocentrale është, pasi që janë parë më të leverdishme”, ka theksuar ai.

Por, shton ai, praktika e deritashme ka treguar se këto hidrocentrale janë ndërtuar me probleme të shumta, ka pasur edhe shkelje ligjore, mungesë të transparencës, ka pasur edhe dëmtim mjedisor të shkaktuar, për të cilat kanë raportuar edhe shoqëria civile dhe mediat.

“Me gjasë për shkak të leverditshmërisë së këtyre hidrocentraleve, faktit që Qeveria stimulon energjinë e ripërtërishme me tarifa të veçanta edhe për shkak se institucionet tona janë të pakonsoliduara dhe nuk janë në gjendje të respektojnë strikt standardet mjedisore, vazhdon interesimi i investitorëve në këtë fushë”, ka pohuar ai.

Lajçi në një raport të tij ka konstatuar disa shkelje të bëra nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit me rastin e hidrocentraleve në Deçan. Sipas tij, e drejta për shfrytëzim të ujit në rastin e HC-ve në kaskadën e Lumbardhit në Deçan është dhënë pa koncesion dhe pa proces konkurrues – përmes lejes ujore, duke qenë kjo në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për ujërat e Kosovës si dhe në kundërshtim me praktikat që zbatohen në këto raste.

Sipas kësaj analize, jo vetëm që e drejta për shfrytëzim të ujit për HC-të në Lumbardhin e Deçanit është dhënë në kundërshtim me ligjin me leje ujore, por për më tepër, leja ujore është lëshuar me kërkesë të “KelkosEnergy”, e cila kërkesë nuk ka përmbajtur dokumentacionin e nevojshëm që kërkohet me Udhëzim Administrativ për leje ujore.

“Lëshimi i lejes pa qenë i bazuar në shqyrtimin e dokumentacionit relevant dhe kërkesa që ky dokumentacion të sigurohet në afat prej 90 ditësh pas lëshimit të lejes ujore përbën shkelje të UA për leje ujore dhe është krejtësisht i pakuptimtë: lëshohet leja për shfrytëzim të ujit pa pasur idenë sa do të jetë sasia e ujit të shfrytëzuar, sa do të jetë prurja ekologjike, si do të matet sasia e ujit të shfrytëzuar dhe prurja ekologjike që duhet të lëshohet në lumë, cili është regjimi i aluvioneve etj.”, thuhet në analizë.

Aty thuhet se disa prej elementeve të cilat sipas UA për leje ujore duhet t`i përmbajë leja ujore, nuk janë përfshirë me lejen ujore të lëshuar për HC “Deçani”.

Analiza përmend edhe shkeljet që janë bërë nga ZRRE-ja. Aty thuhet se konkluzione për procedurën e autorizimit të zhvilluar nga ZRRE: HC “Deçani” dhe HC “Belaja” janë në operim prej vitit 2016 edhe pse licenca e përkohshme për operim u është lëshuar nga ZRRE-ja në tetor të vitit 2019.

“Pra, mbi 3 vite këto dy HC kanë operuar pa licencë. Kjo përbën shkelje ligjore që është sanksionuar me nenin 57, paragrafin 2.7 të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë e cila shkelje i nënshtrohet gjobitjes”, thuhet aty.

Kjo shkelje është sanksionuar edhe me Rregullën e ZRRE Nr. 06/2017 për Masat Administrative dhe Gjobat (neni 9, paragrafi 1.7) dhe i nënshtrohet gjobitjes prej 5,000 EUR deri 10 për qind të ardhurave të akumuluara nga operatori në vitin paraprak fiskal.

“Nuk ka informacion nëse “Kelkos Energy sh.p.k.” është gjobitur për këtë shkelje të ligjit nga ana e ZRRE”, thuhet në analizë.

Sipas saj, vazhdimi i afatit të autorizimit final për Kelkos Energy sh.p.k. për HEC “Lumbardhi II” për afat prej 24 muajsh (2 herë nga 12 muaj) përbën shkelje të Rregullës së ZRRE-së për Procedurën e Autorizimit për Ndërtimin e Kapaciteteve të Reja Bazuar në Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë (neni 16, paragrafi 5) me të cilën është përcaktuar që ZRRE-ja mund ta zgjasë afatin e autorizimit final për një periudhë kohore jo më të gjatë se 12 muaj.

Sipas kësaj rregulle (neni 16, paragrafi 6), nëse poseduesi i autorizimit final nuk arrin ta përfundojë projektin brenda këtij afati të zgjatur prej 12 muajsh, autorizimi shfuqizohet dhe poseduesi i autorizimit përjashtohet automatikisht nga skema mbështetëse.

“ZRRE-ja ai ka lëshuar Kelkos Energy sh.p.k. licencën e përkohshme 47 për 3 HEC-et e kaskadës së Lumbardhit të Deçanit pa pasur mbështetje ligjore për një gjë të tillë. Për më tepër, kjo përbën shkelje të Ligjit për mbrojtjen e mjedisit (neni 31, paragrafi 3) që përcakton se nuk mund të lëshohet në funksion një objekt i cili i nënshtrohet vlerësimit të ndikimit në mjedis pa pasur leje mjedisore”, thuhet tutje në analizë.

Padi kundër ZRRE-së dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit

Shkeljet që janë bërë në procesin e licencimit të hidrocentraleve i ka përmendur edhe organizata KOSID. Në një analizë të publikuar ditë më parë tregon se komuniteti nuk është përfshirë në këto procese dhe është penguar në qasjen e informacionit për pjesëmarrje në konsultime publike të komunitetit.

Mosrespektimin e legjislacionit në fuqi me rastin e ndërtimit të HC-së, e posaçërisht atë të parqeve kombëtare dhe zonave të veçanta të mbrojtura është shkelja që ka konstatuar KOSID-i.

Sipas kësaj organizate, nuk ka përshkrim të drejtë të gjendjes reale të resurseve ujore dhe kushteve mjedisore me rastin e ndërtimit të HC-ve, si dhe ndikimi i tyre në ndotjen, degradimin, shkatërrimin apo shterimin e resurseve ujore, si dhe dëmtimin e mjedisit, natyrës me rastin e përpilimit të raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis.

Ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje ka ngritur padi për hidrocentralet në Deçan.

Përmes një njoftimi për media, ky subjekt tregon se si koordinatori i qendrës së kësaj partie në Deçan, Faton Selmanaj, i shoqëruar nga avokati e aktivisti Getoar Mjeku dhe deputetët Fitore Pacolli e Salih Zyba, kanë dorëzuar në gjykatë padinë kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë — që thotë se janë dy institucionet përgjegjëse për hidrocentralet që po shkatërrojnë Lumbardhin e Deçanit.

VV-ja ka theksuar se për të mundësuar operimin e hidrocentraleve, Ministria dhe ZRRE-ja kanë dhënë leje dhe licenca në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet për ujërat, mjedisin dhe procedurën administrative.

“Me kërkesën e aktivistëve, Gjykata pritet të vendosë brenda tri ditëve nëse do të shtyjë ekzekutimin e akteve të Ministrisë dhe ZRRE-së deri në vendimin përfundimtar për anulimin e tyre. Vitin e kaluar aktivistët e Lëvizjes patën paditur me sukses ZRRE-në lidhur me vendimin për të subvencionuar oligarkët me para të konsumatorëve”, thuhet tutje.

Të njëjtën ditë, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe ZRRE-ja janë paditur nga organizata “Pishtarët” dhe nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)për licenca dhënë “Kelkos”.

Sipas tyre, leja nuk është dashur të lëshohej pasi “Kelkos” nuk ka rehabilituar ambientin dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe ZRRE-ja nuk kanë zhvilluar konsultime me publikun e Deçanit për këto leje. Ato kanë kërkuar që të suspendohet zbatimi i këtyre lejeve.