Më shumë se 65 zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, janë të dyshuar dhe po hetohen për korrupsion. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli.
Ai thekson se në mesin e tyre janë zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra, kryetarë komunash, anëtarë këshillash drejtues, anëtarë bordesh, e të tjerë. Sipas tij, mungesa e një vullneti politik po ndikon në mosluftimin të korrupsionit siç duhet. Havolli thotë se agjencia has në raste të ndryshme korruptive, nga ato më të lehta – të punësimit, e deri në nivelet më të larta – të shpërdorimit të detyrës zyrtare.
Havolli shton se ky numër nuk është i saktë, sepse këto janë statistika vetëm të përafërta meqë është numër më i madh kallëzimeve penale.
“Po ashtu në Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera kemi dërguar diku edhe 20 shkresa, që e tejkalojnë mandatin e agjencisë për hetime të mëtutjeshme. Nëse flasim për nivelin, pozitat apo rastet që i kemi dërguar në prokuroritë përkatëse, diku 25 raste i takojnë nivelit qendror. Dyzet raste i takojnë nivelit lokal, 18 raste u takojnë niveleve të ndryshme, agjencive të ndryshme dhe dy raste janë në nivelin gjyqësor. Do të thotë, është një numër i madh që hyn në kategorinë e zyrtarëve të lartë, për të cilët është ushtruar kallëzim penal për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe çështje të tjera të deklarimit të pasurisë për zyrtarë të lartë”, ka thënë ai.
Havolli ka thënë se kryesisht rastet kryesisht janë të ish-qeverisë 2017-2019 dhe po ashtu ka të bëjë edhe me pozita të ndryshme që janë aktuale, institucionet në nivel qendror dhe lokal.
Duke folur për problemet në Kosovë ndaj luftës së korrupsionit, ai ka thënë “Problemi më i madh qëndron tek aktgjykimet dënuese, sepse institucionet e tjera të zbatimit të ligjit ekzekutiv, si Policia dhe Prokuroria, kanë një numër të madhe të rasteve që janë dërguar në prokurori përkatëse dhe këtu është ai fërkimi mes Prokurorisë dhe gjykatave. Akuza të ndërsjella – Prokuroria thotë se unë kam ngritur aktakuza të mjaftueshme që ka elemente të veprës penale, ndërsa gjykatat thonë se nuk ka elemente të mjaftueshme, prokurorët na sjellin aktgjykime jo të mira dhe jo mirë të dëshmuara me prova të mira materiale. Dhe, këtu çalon ai raporti Prokurori – Gjykatë dhe në një farë forme njëra-tjetrës i hedhin fajin për mosefikasitet”.
Këtë javë, më 9 dhjetor, shënohet Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit. Edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor të publikuar në tetor të vitit 2020, thuhet se korrupsioni në Kosovë është i përhapur dhe vazhdon të jetë një shqetësim serioz./REL