Shtetasit e 27 vendeve evropiane nuk mund të hyjnë në Kosovë, pa poseduar një test PCR-Negativ, jo më të vjetër se 72 orë. Nëse nuk e posedojnë një test të tillë, atëherë duhet të vetizolohen, meqenëse shtetet prej nga vijnë konsiderohen me rrezik të lartë të infektimit.
Që nga 13 nëntori në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja kufizuese për shkak të pandemisë COVID-19. Me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës disa rregulla vlejnë edhe për bashkatdhetarët.
Mërgimtarë të shumtë kanë planifikuar që festat e fundvitit t’i kalojnë në Kosovë me familjarët e tyre.
Por, shkaku i pandemisë COVID-19, atyre u janë vënë disa kushte për të hyrë në vend, varësisht se prej cilit shtet vijnë.
Nëse vijnë prej shteteve të cilat konsiderohen me rrezik të lartë të infektimit nga Qendra Evropiane për Parandalimin e Sëmundjeve, atëherë duhet të kenë një test PCR-Negativ për të hyrë në vend.
Por, cilat janë shtetet që i konsideron Kosova me rrezik të lartë të infektimit?
Pjesë e listës janë: Franca, Britania e Madhe, Italia, Spanja, Gjermania, Polonia, Holanda, Belgjika, Çekia, Rumania, Portugalia, Suedia, Austria, Hungaria, Bullgaria, Kroacia, Sllovakia, Greqia, Danimarka, Sllovenia, Lituania, Luksemburgu, Latvia, Estonia, Malta, Qiproja dhe Lihtenshtajni.
Ndërkohë, testi nuk iu kërkohet shtetasve të Irlandës, Finlandës, Islandës dhe Norvegjisë.
Disa nga masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës të cilat kanë hyrë në fuqi gjatë muajit nëntor. “ Të gjithë qytetarët e huaj të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës (RKS), e që vijnë nga vendet me risk të lartë, sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të dëshmojnë nëpërmjet testit RT-PCR në Sars COV-2 që janë me rezultat negativ me COVID-19, në bazë të parimit të reciprocitetit, me përjashtimet si në vijim. Gjatë hyrjes nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” nuk kanë nevojë të kenë vërtetim për test RT-PCR negativ, duke marrë parasysh që shtetasit e huaj vetëm do të kalojnë nëpër territorin e RKS-së, dhe me kusht që në hyrje do të nënshkruajnë një deklaratë që në afat prej 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së”.
Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar të mërkurën 296 raste të reja me koronavirus, pas marrjes së 1,158 mostrave.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se brenda 24 orëve janë regjistruar pesë viktima.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 47,499 të prekur nga sëmundja Covid-19. Prej tyre 1,225 pacientë kanë vdekur.