Masat të reja për festa të fundvitit në Kosovë, deklarohen nga MSH-ja

Nga 12 nëntori janë në fuqi masat kundër koronavirusit, teksa të njëjtat pritet që të funksionojnë edhe për një javë. Në ndërkohë në bazë të situatës epidemiologjike dhe festave të fundvitit, MSH-ja po planifikon rishqyrtimin e këtyre masave në dy javët e fundit të dhjetorit.

Nga kjo ministri është thënë që kah mes i dhjetorit në bazë të projeksioneve edhe mund të propozohen masa të reja.

“Me trendin e tanishëm të rasteve pozitive me  SARS COV-2 (Covid-19) dhe ngarkesën aktuale të spitaleve (QKUK dhe 7 spitalet e përgjithshme), nënkuptohet që do të jenë në fuqi masat e ndërmarra në nëntor nga Qeveria sipas propozimeve nga MSh-ja. Megjithatë, situata epidemiologjike analizohet në baza të rregullta dhe në varësi të asaj se sa është numri i të infektuarve, sa është numri i të shtrirëve në spital dhe cilat janë projeksionet, edhe mund të propozohen masa të reja. Por për momentin, do të vazhdohet me këto që janë në fuqi”, thuhet në përgjigjet e kësaj ministrie dhënë për Express.

Reklama e sponzorizuar

Nga ministria poashtu është konfirmuar se në fundjavë do të ketë vetëm kategorizim të ri të komunave sipas zonave.

“Në fundjavë do të shikohet kategorizimi i ri i komunave, nëse do të ketë komuna që kalojnë nga një zonë në tjetrën, varësisht prej numrit të infektuarve në 100.000 banorë brenda një jave”, thuhet ndër të tjera në përgjigje.

Edhe nga MSH-ja po e pranojnë se numri i rasteve me koronavirus është në rritje, edhe pse të njëjtit pohojnë se kanë qenë masat e ndërmarra ato që kanë parandaluar një rritje të rasteve.

“Masat në fuqi kanë parandaluar një rritje eksponenciale të rasteve, edhe pse edhe numri aktual është i lartë, por jo jashtë parashikimeve apo projeksioneve të bëra nga IKShPK-ja”, thuhet ndër të tjera në përgjigjet e Divionit për Komunikim me Publikun në kuadër të MSH-së, për Express.

Ndërsa për sa i përket mbylljes për fundvit, nga MSH-ja po thonë se është ende herët për vendime konkretë.

“Është ende herët të dihet se si do të veprohet në mënyrë specifike me secilin sektor apo veprimtari në fund të vitit. Masat ne fuqi u përgjigjen projeksioneve për një trend të ngjashëm te rasteve deri ka mesi i muajit, pastaj do të shihet në analizat e tjera se cilat janë parashikimet për dy javët e fundit të vitit 2020. Pra, tani  për tani, mbesin në fuqi të njëjtat masa”, deklarojnë më tutje ata.

Në ndërkohë në fuqi po vazhdojnë që të jenë masat e marra më 12 nëntor të këtij vitit.

“Të gjithë qytetarët e huaj të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, e që vijnë nga vendet me risk të lartë, sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të dëshmojnë nëpërmjet testit RT-PCR në Sars COV-2 që janë me rezultat negativ me COVID-19, në bazë të parimit të reciprocitetit, është njëra ndër masat e këtij vendimi.

Tjetër masë është obligimi i të gjitha institucionet publike dhe private të mbikëqyrin në baza ditore paraqitjen e stafit në punë në përputhje me “Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID-19”, përfshirë matjen e detyrueshme të temperaturës për të gjithë gjatë hyrjes në objekte.

Vendim pati edhe në sektorin e arsimit. Procesi arsimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, organizohet në formën online, ndërsa provimet, puna praktike dhe laboratorike organizohen duke respektuar të gjitha rekomandimet e IKShPK-së dhe MSh-së ndërsa për ushtrim e veprimtarisë së çerdheve publike dhe private në tërë territorin e Republikës së Kosovës kërkohet vlerësimi dhe mbikëqyrja nga autoritetet komunale bazuar në “Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID-19”, përfshirë matjen e temperaturës së fëmijëve dhe stafit në baza ditore gjatë hyrjes në objekte.

Në anën tjetër personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe gratë gjidhënëse janë liruar nga paraqitja në punë, ndërkaq punëdhënësit udhëzohen, për aq sa është e mundshme, të krijojnë kushtet për angazhimin e tyre në punë nga shtëpia ndërsa personave mbi moshën 65 vjeç iu lejohet dalja jashtë shtëpisë gjatë orarit 6:00-10:00 dhe 16:00-19:00, ndërkaq jashtë këtij orari kanë të drejtë të dalin vetëm për nevoja emergjente dhe shëndetësore, si dhe vendime të tjera.

Përveç këtyre vendime pati individuale edhe për qytetet, duke i ndarë kështu në zona.

Komunat me rrezik të ultë – deri në 75 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një javë (kategorizohen me ngjyrë të gjelbër); aktualisht janë 7 komuna: Malisheva, Deçani, Novo-Berda, Kaçanik, Junik, Dragash dhe Mamushë

 Komunat me rrezik të mesëm – nga 76-150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një javë (kategorizohen me ngjyrë të verdhë); aktualisht janë 10 komuna: Suhareka, Shterpca, Klina, Hani i Elezit, Skënderaj, Istogu, Parteshi, Rahoveci, Prizreni dhe Ranilluga.

Komunat me rrezik të mesëm – mbi 150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një javë (kategorizohen me ngjyrë të kuqe), e që aktualisht janë 21 komuna: Prishtina, Fushë -Kosova, Graçanica, Gjakova, Zveqani, Zubin Potoku, Obiliqi, Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Lipjani, Kamenica, Drenasi, Kllokoti, Vitia, Podujeva, Peja, Vushtrri, Shtime, Ferizaj, Gjilan.