Për 50 ditë pati tejkalime të cilësisë së ajrit

Për muajt tetor, nëntor dhe pjesën e parë të dhjetorit, cilësia e ajrit i ka tejkaluar parametrat për rreth 20 ditë. E gjatë tërë vitit deri më tani, 50 ditë ka pasur tejkalime të parametrave të cilësisë së ajrit, ndërsa i lejuar është vetëm tejkalimi prej 35 ditësh, sipas direktivave të Bashkimit Evropian.

Shkumbin Shala, specialist i cilësisë së ajrit, ka treguar se mbesin të njëjtit shkaktarë të ndotjes së ajrit në Kosovë.

“Nga faktori antropogjen janë hidrocentralet ekzistuese, industritë e vogla, transporti, ekonomitë familjare dhe mbeturinat e papastërtia”, ka thënë Shala.

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa Zeqir Veselaj, njohës i çështjeve të mjedisit ka qenë kritik sa i përket zbatimit të politikave që do të mundësonin uljen e nivelit të ndotjes së ajrit.

“Kjo është e pritshme, sepse nuk është bërë asnjë intervenim serioz që të mund t’i vënë këta parametra në kontroll. Janë disa intervenime të vogla, por që çështja e transportit publik dhe ngrohja nga amvisnitë, ndotja permanente nga KEK-u dhe faktorët e tjerë, janë po ata dhe nuk kanë lëvizur”.

Nga Korporata Energjetike e Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje sa u përket kritikave të vazhdueshme se termocentralet e KEK-ut janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit.

E Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit thotë se ka marrë disa masa për mbrojtjen e ajrit nga ndotja.

“Janë shtuar aktivitetet për vetëdijesimin e publikut për mbrojtje nga ndotja e ajrit, përmes përgatitjes së udhëzuesve përkatës. Është rritur niveli i koordinimit me institucionet e tjera përgjegjëse për sektorin e ajrit, me ç’rast janë mbajtur takime dhe janë dërguar kërkesa për t’i zbatuar obligimet që dalin nga legjislacioni për ajrin. Ministria përmes Inspektoratit ka kërkuar nga KEK-u dhe operatorët e tjerë ekonomik që t’i ndërmarrin të gjitha masat teknike, profesionale dhe ligjore në zvogëlimin e emisioneve ndotëse në ajër”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

Qytetarët thonë se këto ditë e kanë vërejtur që ajri ka qenë më i ndotur.

“Ajri është i papastër, maskat anti-COVID që po duhet me i mbajt në Prishtinë janë të nevojshme çdo herë me i mbajt edhe për shkak të tymit nga veturat”, është shprehur qytetari Ekrem Kaqandolli.

Në anën tjetër, për kujdes të shtuar apelon pulmolgou Flamur Marku. Sipas tij, qytetarët duhet të mos dalin jashtë, sidomos në kohën kur ka vetura të shumta në qarkullim.

“Problemet që shfaqen në mushkri janë përkeqësime të bronkitit dhe astmës bronkiale e të cilat shkaktojnë probleme në frymëmarrje. Ka disa raste të cilat për shkak të përkeqësimit shëndetësor apo edhe sëmundjeve të vjetra qytetarët mund të detyrohen të shtrihen në spital për të marrë edhe asistencë me oksigjen”, ka njoftuar pulmologu Marku.

Vitin e kaluar, sipas specialistëve të ajrit, në total janë shënuar 51 ditë të tejkalimit të parametrave të ajrit.