Oda Ekonomike: Kosova me nivelin më të ulët të pagave mesatare në Ballkanin Perëndimor

Euro

Pagat mesatare në Kosovë kanë shënuar rritje të vazhdueshme gjatë periudhës 2019–2025, mirëpo ndikimi i inflacionit ka bërë që përfitimet reale për qytetarët të jenë dukshëm më të vogla sesa sugjerojnë shifrat nominale, sipas një analize të publikuar nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Raporti thekson se paga mesatare bruto në Kosovë është rritur nga 477 euro në vitin 2019 në 713 euro në vitin 2025, ose me rreth 49.5%. Megjithatë, rritja reale e pagës mesatare ka qenë vetëm rreth 13.8%, pasi inflacioni kumulativ gjatë kësaj periudhe arriti në rreth 31.5%. Sipas analizës, mbi dy të tretat e rritjes nominale të pagave janë “ngrënë” nga rritja e çmimeve, duke bërë që përmirësimi i fuqisë blerëse të qytetarëve të jetë dukshëm më i ulët sesa sugjerojnë shifrat nominale.

Në përgjithësi, paga mesatare bruto sipas Odës Ekonomike në Kosovë, ka ndjekur një trend të qëndrueshëm rritës gjatë viteve 2019–2025, me përjashtim të vitit 2020 kur u regjistrua një rënie prej 2.3% si pasojë e pandemisë. Rritja më e lartë vjetore u shënua në vitin 2024 (12.1%), ndërsa në vitin 2025 paga mesatare u rrit me 74 euro ose 11.6%, duke arritur në 713 euro bruto. Në total, krahasuar me vitin 2019, paga mesatare është rritur me 236 euro, megjithëse përsëritet se ndikimi i inflacionit ka bërë që rritja reale e fuqisë blerëse të jetë dukshëm më e ulët.

Sa i përket strukturës së pagave, sektori publik vazhdon të ofrojë paga dukshëm më të larta se sektori privat. Në vitin 2025, paga mesatare bruto në sektorin publik ishte 840 euro, krahasuar me 666 euro në sektorin privat, duke krijuar një diferencë prej 174 eurosh. Ndërkohë, ndërmarrjet publike kryesojnë me pagën mesatare më të lartë, prej 915 eurosh bruto.

Në anën tjetër, në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova vazhdon të renditet e fundit për nivelin e pagës mesatare. Në vitin 2025, paga mesatare bruto në Kosovë ishte 713 euro, ndërsa në Shqipëri arriti në 860 euro, në Maqedoninë e Veriut 1,111 euro, në Mal të Zi 1,206 euro, në Bosnje dhe Hercegovinë 1,245 euro dhe në Serbi 1,286 euro.

Raporti evidenton se, ndonëse të gjitha vendet e rajonit kanë shënuar rritje të pagave gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka regjistruar progresin më të madh, duke i rritur pagat mesatare me 102.4% krahasuar me vitin 2019. Ndërkohë, Kosova vazhdon të mbetet vendi me pagat më të ulëta në Ballkanin Perëndimor, me një diferencë që në vitin 2025 arrin në mbi 500 euro në muaj krahasuar me vendin me pagën mesatare më të lartë në rajon, Serbinë (1,286 euro kundrejt 713 eurove). /Buletini Ekonomik/