Michel Barnier ka paralajmëruar se ai “nuk mund të garantojë” se do të ketë një marrëveshje tregtare “Brexit”, ndërsa Brukseli ka caktuar të Mërkurën si afatin e fundit për të nënshkruar një marrëveshje. Paundi ra nga frika se nuk do të arrihej një marrëveshje, shkruan Financial Times.
Kryenegociatori i BE, u tha ambasadorëve kombëtarë të bllokut dhe eurodeputetëve se ka pika kryesore, ku ka ngecur marrëveshja, teksa të hënën në mbrëmje pritet takimi mes kryeministrit britanik Boris Johnson me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Në takimet me dyer të mbyllura të hënën në mëngjes, Z. Barnier tha se rreth 10 orë bisedime me homologun e tij në Mbretërinë e Bashkuar David Frost dhe ekipin e tij të Dielën kishin dështuar të tregonin përparim në çështjet kryesore të pazgjidhura të të drejtave të peshkimit në ujërat e Mbretërisë e Bashkuar dhe rregullat e konkurrencës së ndershme për biznesin.
Ai hodhi poshtë pretendimet se një marrëveshje mbi peshkimin ishte afër, pavarësisht se negociatorët punuan deri në mesnatë dhe këmbënguli që bisedimet janë të vështira. Ai u tha eurodeputetëve se bisedimet ishin tani në ditët e tyre të fundit, ndërsa afati është lënë e mërkura, sipas një pjesëmarrësi në takim.
Negociatat rifilluan të hënën, por koha teknikisht është shumë e shkurtër për të arritur një marrëveshje në kohë për përfundimin e periudhës së tranzicionit të Britanisë pas Brexit ,më 31 dhjetor. Udhëheqësit e BE do të takohen në Bruksel për një samit të planifikuar të Enjten.
Çështjet e pazgjidhura përfshijnë mosmarrëveshjet mbi peshkimin, me Mbretërinë e Bashkuar që i reziston kërkesave të BE që vende të tilla si Franca dhe Belgjika të mbajnë të drejtat e tyre historike të peshkimit në zonë gjashtë deri në 12 milje detare larg brigjeve britanike. Të dy palët gjithashtu po negociojnë rreth kohëzgjatjes së një periudhe tranzicioni shumëvjeçare gjatë së cilës do të mbrohej hyrja e anijeve të peshkimit të BE në ujërat e MB.
Debati tjetër është për të drejtat e bizneseve të BE-së pas Brexit si dhe sigurimin e mjedisi të drejtë konkurrues për to. BE po vazhdon të kërkojë garanci të qarta nga Britania se do të vazhdojnë të zbatohen kufizimet e traktatit për përdorimin e ndihmës shtetërore. Z. Barnier tha se ky ishte një problem për sektorë të tillë si energjia dhe aviacioni.