Rrjeti i Shitësve me Pakicë: Bizneset po dëmtohen rëndë nga moskoordinimi institucional për masat kundër COVID-19

Rrjeti i Shitësve me Pakicë thotë se shpreh shqetësimet lidhur me moskoordinimin institucional për zbatimin e masave të marra nga Qeveria e Kosovës, ku sipas tyre, po rezulton destruktive për komunitetin e biznesit.

Rrjeti tregon se bazuar në vendimin e Qeverisë ka avokuar që sektorët e produkteve ushqimore dhe shërbimit, gjegjësisht distrubuimit lejohet të punojnë pavarësisht kategorizimit të komunave sipas nivelit të rrezikshmërisë edhe gjatë orarit të kufizuar të lëvizjes (pika 20, 20.8, 20.9).

Lidhur me këtë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në sqarimin e lëshuar me datë 18 dhjetor 2020, konfirmoi se, “në bazë të Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, 01/42 të datës 11/11/2020, marketet lejohen të ushtrojnë veprimtarinë e tyre pavarësisht kategorizimit të komunave sipas nivelit të rrezikut të infeksionit”.

Reklama e sponzorizuar

Megjithatë, pikërisht MTI, këtë sqarim e ka kthyer në pikën zero vetëm një ditë pas, gjegjësisht me datë, 19 dhjetor 2020, duke aluduar se është bërë për “të shmangur paqartësitë te bizneset dhe te opinioni publik” pas konsultave me institucionet tjera relevante dhe përkatësisht Ministrinë e Shëndetësisë.

“Rrjeti i Shitësve me Pakicë, i vlerëson këto veprime si jo serioze thënë të paktën dhe në dëm të komunitetit të biznesit të cilët janë në përpjekje për rimëkëmbje dhe ashtu ballafaqohen me vështirësi operacionale të shkaktuara nga institucionet zbatuese. Ne ritheksojmë se zgjatja e orarit të punës është një domosdoshmëri për festat e fundivitit sidomos për shkak të nevojës së evitimit të turmave e edhe për të plotësuar nevojat e bashkatdhetarëve nga diaspora. Mjegullia e krijuar nga neglizhenca dhe moskoordinimi institucional është e papranueshme, andaj si Rrjet i Shitësve me Pakicë dhe përfaqësues të bizneseve të cilët ofrojnë mbi 20 mijë vende të punës u bëjmë thirrje institucioneve që të trajtojnë me konsideratë të lartë këtë kërkesë dhe të ofrojnë mundësi për ushtrim normal të aktiviteteve ekonomike përgjatë kësaj periudhe”, thuhet në reagimin e rrjetit.