Shqipëria dhe Kosova, me përqendrimin më të lartë të bankave në rajon

Banka Qendrore e Austrisë vëren se përqendrimi i bankave është më i lartë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, me rreth 60% të aktiveve që mbahen nga tre bankat më të mëdha, ndërsa në vendet e tjera të  Ballkanit, rreth 40% e aseteve mbahen nga tre bankat më të mëdha.

Në raportin periodik për bankat në rajon, Banka Qendrore e Austrisë konstaton se, situata e përgjithshme e sektorëve bankarë në rajon vlerësohet të jetë e mirë. Bankat në përgjithësi janë në një gjendje të mirë, fitimprurëse. Kapitalizimi i bankave i kalon kërkesat rregullatore deri më tani, ndërsa sektori bankar në Ballkanin Perëndimor është përgjithësisht fitimprurës.

Për më tepër, likuiditeti i bankave është i lartë dhe raportet e kredisë për depozitat kanë mbetur nën 100% në shumicën e vendeve.

Reklama e sponzorizuar

Ndërmjetësimi financiar në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor është mjaft i moderuar, ku kredia për ekonominë në raport me PBB-në varion midis 34% në Shqipëri dhe 50% në Malin e Zi. Në përgjithësi, ndërmjetësimi financiar nuk ka ndryshuar ndjeshëm që nga viti 2015 dhe mesatarisht nuk është zgjeruar më shumë sesa PBB-ja.

Në përgjithësi, nga 2015 në tremujorin e parë të vitit 2020, rritja e kredisë për sektorin privat ishte më i fortë në Kosovë, me një normë mesatare vjetore e rritjes prej rreth 10%, ndërsa rritja më e dobët e kredisë ishte në Shqipëri, me vetëm 1%, ku kredia fillimisht ra dhe u rikuperua vetëm në 2019.

Për shkak të pasigurisë së shtuar nga COVID-19, kreditë janë ngadalësuar në shumicën e ekonomive të rajonit që nga fillimi i vitit, veçanërisht në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kosovë. Në të kundërt, Serbia ka regjistruar rritje më të fortë të kredisë, veçanërisht për korporatat.

Në fund të tremujorit të parë të vitit 2020, raportet e NPL-ve ishin midis 2.5% në Kosovë dhe 8.2% në Shqipëri.

Cilësia e kredisë është rritur në të gjithë vendet e rajonit, edhe pse kreditë me probleme mbeten mjaft të larta në Shqipëri dhe Bosnjë – Hercegovinë. Problematike në këto vende mbetet niveli i lartë i kredisë në euro, pavarësisht nga strategjitë e deeuroizimit që kanë ndjekur./B.Hoxha