Tatimi në pronë, Murati: Jemi të gatshëm të mbështesim çfarëdo kërkese të komunave për ulje të tatimit

Ministri i Financave, Hekuran Murati sot në një konferencë për media tha se është e padrejtë nga disa komuna që kanë bërë politikë me çështjen e tatimit në pronë, pasi siç tha ai tatimi në pronë mblidhet nga komuna dhe janë të hyra komunale.

Ai në këtë konferencë tha se u takon komunave të tregojnë se çfarë duan të bëjnë tash, pasi sipas tij, Ministria është e gatshme të mbështesë çfarëdo kërkese që kanë komunat për ulje të tatimit të vitit aktual, raporton Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

“Duhet të sqarohet se tatimi mblidhet nga komuna dhe janë të hyra komunale”, tha Murati, duke shtuar se ka pasur pretendime se Qeveria ka rritur tatimet për të rritur të hyrat.

“Mirëpo meqenëse janë të hyra të komunave, u takon komunave të na tregojnë se çfarë duan të bëjnë. Ne si ministri, qeveri, jemi të gatshëm të mbështesim çfarëdo kërkese që kanë komunat për ulje të tatimit të vitit aktual, qoftë duke shkuar për të gjithë njësoj, ose duke marr një prag ose përqindje të rritjes për ta falur si tatim në mënyrë që të mos ngarkohen qytetarët.

Synimi i qeverisë është të ndihmohen qytetarët në këto kohë të vështira, por është e padrejtë që nga disa komuna është bërë politikë me këtë çështje”, tha ministri Murati.