Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesat e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe disa kompanive për të hequr pezullimin që gjykatat tjera i bënë vendimit për tarifat nxitëse për 20 megavatë energji solare, ka njoftuar Getoar Mjeku, përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje të enjten.
Në një postim në Facebook, Mjeku ka publikuar aktgjykimin e Supremes me të cilin kanë mbetur në fuqi aktvendimet e gjykatave më të ulëta, të cilat shtyjnë ekzekutimin e vendimit të ZRRE-së, të marrë më 2019. Më 27 nëntor të vitit të shkuar, ZRRE-ja kishte marrë vendim në lidhje me tarifat nxitëse për të përkrahur kapacitete shtesë prej 20 megavat të energjisë solare në Kosovë. Vendimi kishte caktuar tarifën nxitës prej 85.5 euro për megavat duke garantuar çmimin e blerjes për prodhuesit e energjisë diellore/solare, të përzgjedhur mbi bazën “kush vjen i pari, shërbehet i pari” për 12 vitet e ardhshme. Tavani për të përfituar nga kjo masë e ndihmës për prodhues është deri në 3 Megavatë. Nga ky vendim raportohej se do të përfitonin bizneset e Blerim Devollit.
Lëvizja Vetëvendosje në fund të vitit kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë duke kërkuar anulimin e vendimit. Po ashtu ishte kërkuar shtyrja e ekzekutimit të vendimit deri në zgjidhjen përfundimtare të rastit. Kjo ishte miratuar. Por ZRRE-ja ishte ankuar në Apel. Kjo gjykatë fillimisht kishte kthyer çështjen në rishqyrtim, e Themelorja sërish miratoi kërkesën për pezullim. Në ankesën e dytë, Apeli refuzoi të gjitha ankesat duke lënë në fuqi aktvendimin e Themelores. Ndërsa në publikimin e së enjtes, në aktgjykimin e Supremes theksohet se refuzohen kërkesat e të paditurit dhe disa palëve të interesuara për rishqyrtim të jashtëzakonshëm kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit.
Në fund të nëntorit, vendimin e ZRRE-së për këto tarifa e cilësoi të kundërligjshëm edhe Komisioni i Ndihmës Shtetërore. Ky komision konstatoi se skema e aprovuar nga ZRRE-ja është e kundërligjshme dhe s’ka pasur autorizim të KNSH-së për përshtatshmërinë me ligjin, duke shkelur nenin 3 të Ligjit për Ndihmë Shtetërore. Vendimi u mirëprit edhe nga Sekretariati i Komunitetit për Energji.
Në media është raportuar se si kompani në pronësi të Blerim Devollit të regjistruara në shtetin e Maltës do të përfitojnë nga tarifat nxitëse për prodhimin e energjisë nga dielli.