Për dhjetë vjet me radhë, hetuesit e Task-Forcës Kundër Korrupsion janë paguar 300 euro më shumë së hetuesit e tjerë policorë. Një gjë e tillë është bërë në emër të rrezikshmërisë për profilin e lartë të korrupsionit të cilin e hetojnë.
Nga 400 euro shtesë janë paguar edhe të gjithë prokuroret e Prokurorisë Speciale, e më nga 150 euro shtesë janë paguar edhe ekspertët kundër korrupsion në këtë prokurori.
Por, ka dy muaj që të ardhurat e tyre mujore nga rreth 800 euro kanë zbritur në rreth 500 euro.
Hetues policorë të kësaj njësie i kanë thënë KOHËS se dy muajt e fundit, pas vendimit të kryeministrit Hotit për shuarjen e Task Forcës, pagesa e tyre është më e vogël.
Televizioni ka më shumë se një javë që ka nisur pyetje në Policinë e Kosovës për këtë çështje, por ata nuk janë përgjigjur.
Pyetjet u janë përsëritur edhe të enjten, por janë injoruar nga ky institucion.
Hetuesit e Task Forcës edhe pas vendimit për shuarje, janë duke u marrë vetëm me hetimin e rasteve të profilit të lartë dhe punojnë në koordinim me Prokurorinë Speciale.
Por prokurorëve specialë e stafit mbështetës të kësaj prokurorie nuk u janë prekur pagesa mujore.
Në bazë të deklarimit të pasurisë del se paga e një prokurori në Speciale është afro 3000 euro, rreth 2600 euro paga bazë e 500 euro shtesë.
Çdo vit vetëm në shtesë për Prokurorinë Speciale, nga buxheti i shtetit ndahen rreth 170 mijë euro, e kjo dëshmohet në bazë të një vendimi të Qeverisë për pagesat e vitit 2019.
Kryeministri Avdullah Hoti pati thënë se puna e hetuesve të Task Forcës do të mbetet e njëjtë dhe se hetuesit do të merren me rastet që ishin duke i trajtuar.
“E para të cilin e kam prezantuar para partnerëve ndërkombëtarë është që puna e Task-Forcës do të vazhdojë e paprekur, ashtu siç kanë punuar deri tash, në të gjitha çështjet që i kanë punuar deri tash, do të vazhdojnë të punojnë. E dyta jemi dakorduar që ne të punojmë organogramin e ri të Policisë së Kosovës në përputhje me ligjin”, kishte thënë kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.
Një nga vendimet e kësaj qeverie, i cili është diskutuar më së shumti është ai për shuarjen e Task Forcës Kundër Korrupsion.
Kjo njësi në kohën kur Hoti ka marrë vendim për shuarjen e saj ishte duke hetuar disa zyrtarë të LDK-së.