Von der Leyeni, shpresa e fundit për Brexit me marrëveshje

Është bërë e ditur se Von der Leyeni është në kontakt të vazhdueshëm me kryeministrin britanik, duke ndërmarrë një seri bisedash telefonike me Boris Johnsonin, si dhe me kryeqytetet e Bashkimit Evropian, derisa po ka vështirësi për të siguruar një ujdi ndërmjet Brukselit dhe Londrës

Londër, (Reuters) – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka marrë në duart e saj kontrollin për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje të Brexit-it para Kërshëndellave, pasi që bisedimet tregtare kanë hyrë në fazë kritike sherri i përplasjeve rreth industrisë së fuqishme të peshkimit që ka rëndësi të madhe për Britaninë e Madhe edhe pas daljes zyrtare nga Bashkimi Evropian në natën e fundit të vitit.

Është bërë e ditur se Von der Leyeni është në kontakt të vazhdueshëm me kryeministrin britanik, duke ndërmarrë një seri bisedash telefonike me Boris Johnsonin, si dhe me kryeqytetet e Bashkimit Evropian, derisa po ka vështirësi për të siguruar një ujdi ndërmjet Brukselit dhe Londrës.

Reklama e sponzorizuar

Duke folur me ambasadorët e BE-së të martën pasdite, shefi i caktuar nga blloku për negociata, Michel Barnier, ka thënë se është shënuar përparim, porse oferta e fundit nga kryenegociatori britanik, David Frost, është hedhur poshtë nga pala evropiane.

BE-ja ka bërë të ditur se ka gatishmëri për të humbur 25 për qind të vlerës së flotave të veta të peshkimit në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar. Nga ana tjetër, Londra zyrtare ka propozuar riatdhesim prej 35 për qind të vlerës – një dallim që kap vlerën prej 64 milionë eurosh.

Megjithatë, Barnieri ka thënë se oferta britanike nuk ka përfshirë edhe disa lloje peshqish, si tuna e skumbri, që do të nënkuptonte humbje prej 230 milionë eurosh në vit.

Zyra e Përgjegjësisë Buxhetore në Britaninë e Madhe ka paralajmëruar muajin e kaluar se dështimi për të siguruar marrëveshje tregtare dhe të sigurisë pas nëntë muajsh diskutimesh do të përkthehej në humbjen e 300 mijë vendeve të punës në mot dhe me ulje të GDP-së për dy për qind.

Von der Leyeni ka inkurajuar vendet që kanë industri të fuqishme të peshkut të lëshojnë pe dhe ta pranojnë ofertën britanike. Franca dhe Danimarka besohet se janë vendet që kanë treguar më së shumti vëmendje, duke dalë me një kundërpropozim.

Shefja e KE-së ka folur në telefon me Johnsonin të hënën natën vonë për të diskutuar për shtegdaljen e mundshme dhe biseda të tjera telefonike pritet të zhvillohen brenda 24 orëve të ardhshme, por Komisioni Evropian ka refuzuar të publikojë më shumë hollësi.

“Përnjëmend jemi në një moment qenësor. Po e bëjmë edhe përpjekjen e fundit. Brenda dhjetë ditësh, BE-ja do të largohet nga tregu i përbashkët dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me transparencë të plotë me shtetet anëtare dhe me Parlamentin”, ka thënë Barnier, derisa po shkonte në takim me ambasadorët e BE-së.

Një diplomat evropian ka thënë se marrëveshja mund të arrihet, për shkak se “është shënuar përparim”. Megjithatë, ai ka pranuar në kushte anonimiteti se pjesa për të ardhmen e industrisë së peshkut po shkakton vështirësi të shumta për Brexit me marrëveshje.