Buxheti 2021 – vetëm 86 milionë euro subvencione për biznese dhe qytetarë

Rreth 222 milionë euro është shuma për rimëkëmbje ekonomike që parashihet në buxhetin për vitin 2021. Buxheti i aprovuar javën e kaluar në Kuvend nuk parasheh shumën prej 200 milionë eurove shtesë për bizneset e dëmtuara e as nga 900 euro për ata që humbën punën në kohë të pandemisë.

Mes dy leximeve në Kuvend, këtij buxheti i është shtuar vetëm shuma prej 40 milionë euro për vaksinat kundër Covid-19, të cilat nuk kanë qenë fillimisht të përfshira.

Në raportin me amandamente të siguruar nga KOHA parashihet një shumë prej mbi 8 milionë eurosh për zgjedhje. Në buxhet Qeveria kishte paraparë afro 5 milionë euro, por shuma është ndryshuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese sipas të cilit, Qeveria Hoti është jokushtetuese dhe se vendi duhet t’u nënshtrohet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Reklama e sponzorizuar

Gjatë amendamentimit të buxhetit është rritur edhe shuma për mbrojtjen juridike dhe mbështetje financiare për personat e akuzuar nga Specialja. Edhe pse fillimisht parashihej një mbështetje prej 6.7 milionë euro, kjo shumë është rritur edhe për 10.3 milionë euro të tjera.

Me amendamente shtesë në buxhetin 2021 janë paraparë edhe 1 milion euro për ndërtimin e shtëpive të komuniteteve pakicë.

Ndryshimet e tjera në buxhet nuk kanë ndodhur, meqë partitë politike janë dakorduar që ai të rishikohet nga Qeveria e re. Mes tjerash, ajo duhet të projektojë edhe koston shtesë të rimëkëmbjes ekonomike.

Blend Hasaj, hulumtues në GAP, thotë se Ligji për buxhetin 2021 më shumë paraqet një konsensus mes partive për tejkalim të një krize të mundshme buxhetore dhe ia lë të hapura rrugët Qeverisë që të implementojë programin ekonomik qysh në vitin e parë.

Hasaj flet edhe për një aspekt tjetër. Thotë se do të vonohet shumë ndihma e Qeverisë për bizneset.

“Por, besoj që Qeveria e re në një kohë mjaft të shkurtër të bëjë rishikimin e buxhetit dhe të rrisë buxhetin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike, gjithashtu të sigurohet që për dallim nga pakoja e rimëkëmbjes së parë masat që futen të parashohin një ndarje proporcionale të buxhetit me dëmin që u është shkaktuar bizneseve, të synojnë transformim në ekonomi, si dhe të ndihmojnë studentët që janë prekur nga pandemia përmes bursave apo formave të tjera të financimit, sidomos në fushat prioritare për Kosovën si ajo e informacionit, mjekësisë etj”, ka theksuar ai.

Ligji për buxhetin është miratuar më 29 dhjetor, ndërsa më 4 dhjetor pas tetë tentimesh është miratuar Ligji për rimëkëmbje ekonomike.

Buxheti kap vlerën e 2.4 miliardë eurove. Shkaku i krizës së shkaktuar nga pandemia, deficiti buxhetor gjatë 2021-s do të jetë afro 527 milionë euro, apo 304 milionë më pak sesa më 2020. Kjo, pasi edhe shpenzimet buxhetore parashihet që të jenë për 200 milionë euro më pak sesa vitin që e lëmë pas. Të hyrat parashihet të jenë në vlerë 1 miliard e 885 milionë euro, ndërsa shpenzimet 2 miliardë e 412 milionë euro.

Ashtu sikurse viteve të kaluar, edhe projektbuxheti 2021 parasheh favorizime dhe diskriminime të komunave në investime kapitale. Sipas një analize të Institutit GAP, 91 për qind e investimeve kapitale të nivelit qendror në komuna më 2021 janë vazhdimësi nga viti 2019, atëherë kur AAK-ja ka udhëhequr me qeverinë.

Të dhënat e buxhetit tregojnë se buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë është zvogëluar për 25.5 milionë euro, ai i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës me 12.8 milionë euro më pak dhe buxheti i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit është zvogëluar për 55 milionë euro. Rritje e buxhetit është paraparë te Ministria e Infrastrukturës për rreth 53.9 milionë euro.

Në Ministrinë e Financave kanë vlerësuar se ekonomia e Kosovës do të rritet për rreth 5.2 për qind, duke u kthyer në nivel të ngjashëm me vitin 2019. Kontribut në rritje, sipas tyre, është performanca nga eksporti, veçanërisht ai i shërbimeve.

Në buxhet është paraparë edhe një shumë prej 200 mijë euro për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit, por kjo shumë është e paraparë vetëm për projektin ideor.

Shpenzimet në paga e shtesa parashihet të jenë 625 milionë euro. Investimet kapitale pritet të jenë rreth 613 milionë euro.