Edhe 2021 nis keq për Telekomin, ndërmarrja i lutet qeverisë për shpëtim

Marrëveshja e fundit për zhbllokimin e llogarive të Telekomit dhe shlyerjen e obligimeve ndaj Z-Mobile me ndërmjetësim të Qeverisë ka rënduar gjendjen financiare në korporatë.

Telekomi i Kosovës vitin 2020 e kishte mbyllur duke u ankuar e lutur Qeverisë për shpëtim.

Nga Telekomi në adresimin e fundit të të vitit të kaluar, patën thënë 2020 ka qenë sfidues për ta dhe se korporata përgjatë vitit është ballafaquar me vështirësi.

Reklama e sponzorizuar

“Viti 2020 vërtetë ka qenë vit sfidues për Telekomin e Kosovës, korporata përgjatë vitit është ballafaquar me shumë vështirësi duke përfshirë pandeminë që ka shkaktuar humbje të mëdha financiare, përkatësisht në rënien e të hyrave si dhe kemi perfomuar me staf esencial”, thuhet në adresimin e Telokomit.

Me këtë mënyrë kjo ndërmarrje e ka nisur edhe vitin 2021.

Nga kjo korporatë nëpërmjet komunikatës thonë se “Korporata edhe pse ka negociuar për shumë kohë me Zmobile për arritjen e marrëveshjes për shlyerjen e obligimeve nuk ka mundur të arrijë asnjë marrëveshje pa ndërmjetësim dhe garancion të qeverisë”.

“Kushtet e Telekomit për arritjen e marrëveshjes kanë qenë që shlyerja e obligimeve të bëhet gjatë katër viteve të ardhshme ndërsa që qeveria është dakorduar që ky afat të ulet në dy vite, pra kushti kryesor është negeciuar dhe vendosur nga vet qeveria. Por edhe pse qeveria ka dhënë garancione se do ta ndihmoj Telekomin që ta tejkaloj këtë situatë dhe të mos ketë ngecje në përmbushjen e kësaj marrëveshjeje deri më tash edhe përkundër insistimit tonë dhe premtimeve të saj nuk është marr asnjë veprim”, thuhet mes tjerash në komunikatën për media.

Tutje thuhet se “Mospërkrahja e qeverisë do të thotë që llogaritë e Telekomit mund të bllokohen përsëri qysh këtë javë, ndërsa punëtorët do të mbesin pa paga e familjet e tyre do të futet në varfëri”.

E kjo sipas tyre po rrezikon sigurinë kombëtare.

“Kjo negelizhencë e qeverisë rrezikon edhe sigurinë kombëtare pasi rënia e shërbimeve të Telekomit rrezikon funksionimin e gjithë institucioneve të sigurisë. Bordi dhe Menaxhmenti është angazhuar maksimalisht në kryerjen e obligimeve të veta duke siguruar që të ketë rritje të vazhdueshme të të hyrave dhe të krijoj stabilitet financiar megjithkëtë pa përkrahjen e qeverisë në këto momente kjo nuk mjafton. Telekomi ka përfillur në vazhdimësi gjithë kërkesat e Aksionarit, duke përfshirë uljen e pagave deri në 60 %, ka ulur të gjitha shpenzimet operative deri në masën ku nuk rrezikohen operimet tona, është në përfundim të procesit të ristrukturimit gjitha këto me qëllim të krijimit të stabilitetit në kompani”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, punonjësit e Telekomit, bordi dhe menaxhmenti kanë bërë thirrje qeverisë për reagim të menjëhershëm sipas tyre me qëllim që të mos lejohet shkatërrimi i kompanisë, të mos rrezikohet ekzistenca e më shumë se 3000 punëtorëve dhe familjeve të tyre dhe të mos cenohet siguria jonë kombëtare.

Edhe viti 2020 nuk ishte i mirë për Telekomin e Kosovës.

Në gjithë këtë mes përfshihet situata me pandeminë COVID-19, ku sipas komunikatës nga Telekom thuhet se janë shkaktuar humbje të mëdha financiare, përkatësisht i të hyrave.

“Viti 2020 vërtetë ka qenë vit sfidues për Telekomin e Kosovës, korporata përgjatë vitit është ballafaquar me shumë vështirësi duke përfshirë pandeminë që ka shkaktuar humbje të mëdha financiare, përkatësisht në rënien e të hyrave si dhe kemi perfomuar me staf esencial”.

Veç këtyre Telekomi i Kosovës gjatë 2020-ës u përballë edhe me kontekste gjyqësore, arbitrazhet e bllokim të llogarive bankare.

“Moment tjetër sfidues, që ka përcjellë Telekomin e Kosovës në këtë vit, ndërlidhen me kontestet gjyqësore, Arbitrazhet, bllokimi i llogarive bankare dhe tërheqja e mjeteve financiare të Telekomit të Kosovës për shkak të inicimit të procedurave përmbarimore”, thuhet mes tjerash në komunikatën nga Telekom.

E përkundër gjithë këtyre sfidave nga Telekom thonë se kanë arritur që t’i përmbushin kriteret e rekomanduara në standarde të korporatës.

Telekomi i Kosovës, dikur kompania më profitabile në vend, aktualisht po përballet me krizë financiare dhe është afër falimentimit. Për të dalë nga kjo gjendje, Qeveria e Kosovës, përveç tjerash, ka paraparë uljen e pagave për punëtorët e kësaj kompanie.

PTK-ja është paraardhëse e Postës, Telegrafit dhe Telefonit që ishte themeluar në vitin 1959. Sistemi i saj ishte shkatërruar gjatë luftës dhe pas çlirimit kompania kishte rifilluar veprimtarinë, duke mobilizuar punëtorët që ishin dëbuar nga puna qysh në fillim të viteve ’90. PTK ishte fillimisht nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), ndërsa në vitin 2005 ishte transformuar në shoqëri aksionare. Aksionet e saj janë në pronësi të Qeverisë.