Shoqata e Gastronomëve të Kosovës thotë se diku rreth 11 mijë punëtorë e kanë humbur vendin e punës në këtë sektor si pasojë e pandemisë.
Arian Vranica, zyrtar i kësaj shoqate në një intervistë për Ekonomia Online tha që gjendja e sektorit të gastronomisë është mjaft shqetësuese ku sipas tij 89% e bizneseve kanë punuar me humbje të thellë.
“Gjendja e sektorit të gastronomisë deri më tani është mjaft shqetësuese, sipas raportimeve dhe hulumtimeve të realizuara nga shoqata e Gastronomeve të Kosovës ne kemi 89% të bizneseve që kanë punu me humbje të thellë deri në tetor të vitit 2020 ku 11% prej tyre kanë qenë të vetëm që kanë mund të kenë një lloj rentabiliteti”, tha Vranica.
Sipas tij nëse do të vazhdohej kjo situatë dhe pa përkrahje vetëm 2% e tyre do mund të mbijetonin pa ndihma ndërsa 13% prej tyre do falimentonin.
Mes tjerash Vranica tregoi edhe publikimet e disa të dhënave, ku më shumë se 64% kanë pasur rënie.
“Duke i konstatuar të dhënat publike kemi pasur më shumë se 64% rënie dhe kjo është mjaft sfiduese për neve sidomos duke pasur parasysh edhe mos mbështetjen me politikat fiskale pastaj kemi edhe Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike e cila zgjati më shume se 5 muaj”, u shpreh Vranica.
Ai tha që nuk është e nevojshme të vazhdohet me të njëjtat masa pasi numri i infeksionit ka rënë dukshëm.
“Numri i infeksionit ka rënë dukshëm, këto nuk përbëjnë asnjë arsye më shumë që të vazhdohet me të njëjtat masa mirëpo duhet të jemi më konstruktiv drejt lirimit të masave dhe tejkalimit të kësaj krize me pasoja sa më të vogla”, tha mes tjerash Vranica.
Ai madje thekson faktin që nuk ka pasur diçka konkrete dhe nga ana e Qeverisë nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
I pyetur për kërkesat e tyre dhe mundësinë e ndonjë proteste Vranica tha që kërkesat e tyre nuk do t’i ndalin.
“Kërkesat tona nuk do t’i ndalim, presionin do ta rrisim tani më edhe me vaksinimin e shumicës se vendeve të BE-së, duhet të kemi përgjigje pozitive dhe sa më shpejtë të hyjë në fuqi edhe Ligji mbi dëmet buxhetore”, theksoi tutje ai.
Në bazë të statistikave të tyre ata konstatuan që më shumë se 42% të bizneseve që kanë raportuar që kanë larguar punëtorë nga puna.