Shteti nuk i ka nën kontroll pajisjet me gaz nga shpërthimi i të cilave ditëve të fundit janë lënduar dhjetëra persona dhe janë shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Fuqia e shpërthimit të bombolës së gazit në Ferizaj lëndoi mbi 40 persona dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale. Kurse, një javë më parë, afër Prishtinës, u lënduan 15 qytetarë nga shpërthimi i një bombole të ngjashme.
Selatin Kaçaniku, i cili drejton një organizatë për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, thotë se pajisjet e tilla me gaz janë pa standarde.
Përgjegjësia për rastet si ai në Ferizaj është bërë e vështirë t’i vishet dikujt për një arsye të vetme, e kjo, sipas Fadil Berjanit nga Shoqata e Naftëtarëve, është mungesa e kompanive për certifikimin e bombolave.
“Naftëtarët janë të licencuar për shitjen e gazit, shumë normale, me standarde të BE-së duhet të jenë të licencuar në mënyrën më profesionale. Dhe, kur të vijë qytetari, bëhet mbushja e bombolës por bombola nuk është e certifikuar, nuk është e kalibruar, dhe këtu është problemi. Sepse nëse një bombolë certifikohet dhe kalibrohet, ajo kompani që e ka certifikuar e ka përgjegjësinë, e kështu përgjegjësinë nuk po e ka askush”, ka thënë Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve.
Mënyra dhe kriteret e shfrytëzimit të këtyre mjeteve rregullohen me Ligjin për Pajisjet në Presion.
Përgjegjës për zbatimin e tij është Inspektorati për Energji, në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.
Udhëheqësi i këtij inspektorati, Hysni Komoni, ka thënë se për mbikëqyrjen administrative të këtyre pajisjeve e kanë vetëm një inspektor.
Secili shfrytëzues i këtyre pajisje ligjërisht është i obliguar ta bëjë vlerësimin e rrezikshmërisë së përdorimit të tyre.
Por, në Inspektoratin e Punës thonë se për shkak të kapaciteteve të vogla është i pamundur kontrolli i të gjithë përdoruesve.
“Në inspektimet tona bëjmë presion që secili punëdhënës, subjekt, të jetë konform rregullave që janë të përcaktuara me dispozita ligjore të Ligjit për Siguri dhe Shëndet në punë, të cilin e kontrollon inspektori i punës. Por, është pamundur me kushtet çfarë i kemi, me numrin e inspektorëve sa i kemi, të bëjmë një kontroll të përgjithshëm të të gjithë subjekteve të mundshme që përdorin këto elemente,” ka thënë Agim Millaku, zv.kryeinspektor i Inspektoratit të Punës.
Gjobat për mosrespektimin e kritereve për përdorimin e pajisjeve nën presion nisin nga 30 deri në 20 mijë euro.