Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka bërë të ditur të premten, se si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, është turbulluar uji në kanalin e Ibër Lepencit.
Për këtë, KRU “Prishtina”, njofton konsumatorët e është e detyruar të ndërpresë furnizimin me ujë nga ora 9.30 në lagjen Kalabria në Prishtinë dhe në Fushë-Kosovë.
“Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ditëve të fundit, janë rritur edhe rrjedhjet sipërfaqësore në zonat fushore dhe pastaj të njëjtat në disa raste kanë përfunduar te kanali i Ibër Lepencit, kanal prej të cilit merret uji i papërpunuar për t’u trajtuar pastaj për pije (FPU Shkabaj). Si shkak i kësaj, kemi rritje të turbullirës, nivel që bënë të pamundur trajtimin e ujit për pije konform standardeve dhe teknologjisë që posedojmë”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.
Përveç ndërprerjes së furnizimit me ujë të pijshëm për këto dy zona, sipas njoftimit, ndërprerje do të kenë edhe Obiliqi dhe Drenasi.
“Në momentin që kushtet lejojnë që uji të trajtohet dhe të garantohet cilësia e duhur pas trajtimit, ne do e rikthejmë gjendjen normale me trajtim dhe furnizim”, thuhet në njoftim.