Haskuka arsyeton punësimin e vajzës së axhës në Komunë

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, e ka arsyetuar punësimin e vajzës së axhës në Komunë, pasi sipas tij, fillimisht ajo ishte praktikante e më pas në kohën kur mori mandati shpalli konkurs, ku ajo ka vazhduar punën e rregullt.Haskuka po i përgjigjej pyetjeve të qytetarëve të Prizrenit në emisionin “038” të KTV-së, derisa e ka pranuar që vajza e axhës së tij është e punësuar në Komunën e tij.

“Nëse e shikojmë numrin e punësimeve në arsim, në shëndetësi dhe në të gjithë sektorët, atëherë statistikisht është e mundur. Po, ajo punon. Ajo ka qenë si praktikante, por pastaj ka vazhduar punën e rregullt. Ka qenë konkursi për në financa”, ka thënë Haskuka.

I pari i Prizrenit më tej kërkoi që epiteti i qytetit që ai drejton si “kryeqytet historik” të reflektojë edhe në buxhetin vjetor për Komunën nga niveli qendror.

Reklama e sponzorizuar

“Kam kërkuar që kjo të reflektohet edhe në buxhet, dhe jo vetëm të ketë epitete. Të kemi buxhet për restaurimin e qendrave historike, pasi ato kushtojnë shumë. Ne jemi duke u munduar t’i mbrojmë ato shtëpi të vjetra, por nëse nuk i ndihmojmë edhe financiarisht qytetarët do të jetë e vështirë. Kam kërkuar nga Ministria e Kulturës të kemi një fond të përbashkët prej 10 milionë euro”, u shpreh ai.

Haskuka gjithashtu ka thënë se suficiti prej 20 milionë eurove ka ardhur si pasojë e nivelit qendror, pasi shtoi se Ministria e Financave nuk ka ekzekutuar disa borxhe që ka pasur Komuna jo në mandatin e tij.

Ai tregoi se Qendra e Mjekësisë Familjare në lagjen “Arbanë” do të përurohet në qershor.