Linja e interkonjeksionit Shqipëri – Kosovë del nga funksioni

Fotografi ilustruese

Katër vjet e gjysmë pas përfundimit dhe një muaj pasi u vu në funksion linja e transmetimit 400 kilovolt Shqipëri – Kosovë, kjo linjë ka dalë jashtë funksionit.

Megjithëse ka kushtuar 75.5 milionë euro, ku 42 milionë euro janë shpenzuar në pjesën e Shqipërisë, temperaturat e ulëta të janarit sivjet kanë bërë që katër nga shtyllat e interkonjeksionit të linjës Vau Dejës – Prishtinë të rrëzoheshin.

Në zonën e Iballës në Pukë, në lartësinë mbi 700 metra, për shkak të ngricave dhe akullit, katër shtylla metalike të linjës janë rrëzuar duke e nxjerrë atë jashtë funksionit. Më 14 dhjetor të vitit që shkoi, pati nisur operimi i pavarur i Kosovës, si zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Shqipëri-Kosovë, si dhe nisi nga funksionimi linja e transmetimit 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë.

Linja e interkonjeksionit Shqipëri – Kosovë ka përfunduar në fundin e qershorit të vitit 206. Kjo autostradë energjetike, nuk arriti të bëhet në kohë për shkak të përplasjeve që pati qeveria “Berisha” me bankën gjermane KfW se cila firmë do të zbatonte projektin.

Më 21 dhjetor të vitit 2013, në Prizren, në ndërtesën e Lidhjes Shqiptare, në praninë e ish-ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ish-ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Shqipërisë, Damian Gjiknuri, dhe ish Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Peter Blomeyer, u nënshkrua kontrata për ndërtimin e linjës së interkoneksionit 400 kV Kosovë-Shqipëri.

Në Kosovë linja u ndërtua nga kompania kroate “Dalekovod”, ndërsa në Shqipëri nga “Energoinvest” nga Bosnja. Inaugurimi i projektit u bë më 28 qershor të vitit 2016 nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.