Është anuluar tenderi për sistemin e digjitalizimit për menaxhimin e arsimit, vetëm një ditë pas hapjes publike të tij nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Për këtë tender, që peshonte 1 milion e 280 mijë euro, “Koha” ka raportuar javën e kaluar.
Pas publikimit të dosjes tenderuese, Ambasada e Britanisë së Madhe i dërgoi letër MASH-it, duke ia rikujtuar se tenderi u hap pa përfunduar strategjia për digjitalizim, e financuar me rreth 45 mijë euro nga kjo ambasadë.
Sipas letrës së zv.ambasadorit Jacob Webber, qëllimi i dokumentit strategjik ka qenë të studiohet gjendja e të bëhen investime të koordinuara mirë si dhe të ndalohen investimet ad-hoc.
Në letrën e Likajt thuhet se do të kërkojë nga administrata e MASH-it të rishikojë përmbajtjen e tenderit dhe nëse ka nevojë të rishkruhet e të jetë në harmoni me përmbajtjen e Strategjisë dhe orientimet e planet e MASH-it për digjitalizimin në arsim.
“Siç e theksoni edhe ju, është ‘shumë e rëndësishme që një investim i tillë të jetë i përgatitur mirë, të jetë i përdorshëm për të gjithë dhe të paraqesë vlerë për paranë e taksapaguesve kosovarë’, prandaj duhet të kemi kujdes të gjithë që ta evitojmë cilindo konflikt të interesit, përfshirë edhe të ekspertëve të angazhuar në hartimin e SDAK, administratës së MASH-it që është pjesë e hartimit të dosjes së tenderit dhe palëve të treta, si dhe të punojmë të gjithë në transparencë të plotë dhe të sigurojmë qasje e konkurrencë të barabartë”, thuhet në letrën e Likajt.
Tenderi 1 milion e 280 mijë euro i MASH-it u kritikua shumë edhe nga shoqëria civile, në veçanti për shkak të afërsisë me procesin e zgjedhjeve të parakohshme.