Prodhohen pjesë veturash, do të punësohen mbi 100 gra në rajonin e Zhupës

Pas kompletimit të inventarit me makineri të rrobaqepësisë, do të nisin punë fillimisht mbi 100 gra e më pas edhe 100 të tjera, në punishten që po investon kompania turke në vlerë prej 10 milionë eurosh, për prodhimin e pjesëve të brendshme të automjeteve.

Shumë gra do ta kenë mundësinë të punësohen në rajonin e Zhupës, pasi këtu është ndërtuar fabrika e cila prodhon pjesë të brendshme të automjeteve, e cila është realizuar nga një kompani turke, përurimin e së cilës e bëri zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi.

” Më shumë krenari ju them që me këtë hapen dyert e për më shumë se 200 punëtorë, shumica gra. Kjo nuk është vetëm punë, është edhe një stabilitet financiar, përforcim ekonomik për familjet dhe zhvillim te ekonomik lokale”, tha Rexhepi.

Reklama e sponzorizuar

Afaristi, Serkan Ayik, theksoi se kompania tashmë ka shumë klient në Kosovë dhe në vendet e Ballkanit. “Kemi pasur shumë rekomandime që të pozicionohemi dhe të hapim kompaninë tonë edhe këtu”, tha ai.

Ata thanë se fillimisht do të investojnë mbi 1 milion euro, ndërkaq gratë që do të punësohen fillimisht do të kryejnë trajnimet. Totali i gjithë projektit do të jetë rreth 10 milionë euro. /RTKlive/