Kriza ekonomike si pasojë e pandemisë i ka shkaktuar vendit humbje të mëdha. Ish-ministri i Financave Haki Shatri tha se procesi i rimëkëmbjes ekonomike është plagë që nuk mund të shërohet brenda muajit ose vitit.
“Ajo që unë mendoj është që në rastin më të mirë Kosova do arrij t’i ndal trendët negative duke shpresuar që edhe pandemia do frenohet diku nga mesi i vitit dhe paralelisht Kosova me filluar një rritje më të mirë ekonomike”.
Ai përcaktimin e masave e cilëson si jo të mjaftueshme ku sipas tij, masat kanë shërbyer më shumë për mirëqenie individuale, dhe jo për një rimëkëmbje të duhur.
“Masat të cilat janë marrë nuk besoj se janë të mjaftueshme, sepse disa masa më shumë kanë shërbyer për një mirëqenie individuale ose familjare, një javore ose dy javore siç janë mjetet e trustit, por jo për një rimëkëmbje të duhur, por edhe masat tjera me përjashtim fondi i garancionit të kredive, nuk janë masa për kthim të rimëkëmbjes, por vetëm për një konsum të përditshëm”.
Shatri fondin e garancionit të kredive e sheh si masë serioze dhe nëse menaxhohet si duhet mund të jetë ndihmesë e madhe sidomos për bizneset.
“Fondi i garancionit të kredive, kjo është një masë më serioze dhe nëse menaxhohet si duhet kjo do jetë ndihmesë ekonomike sidomos për bizneset e rënduara nga pandemitë, ku shteti ju garanton bizneseve ku nuk janë në gjendje të paguajnë ashtu siç i kërkojnë bankat dhe në këtë mënyrë ju mundësohet që të marrin kredi me kushte të lehtësuara”.
Ai nuk e mohon faktin që ekonomia e Kosovës është e dobët dhe që ka aftësi të ulëta akumuluese. Sipas tij, mbi 1 miliard euro do i ishin dashur buxhetit që të rikthehet vendi në drejtimin e duhur.
“Është vështirë të thuhet diçka pa analiza të mirëfillta, por mendoj që ekonomisë do i ishin dashur një kontingjent parash të freskëta diku rreth 1 miliard e 200 milionë me kusht që këto mjete të menaxhohen si duhet dhe jo të keqpërdoren siç ka ndodhur jo në mandatin e fundit të qeverisjes, por në qeverisjet e kaluara”.
“Kam ndrojtje që ka manipulime në numrin e atyre punëtorëve që kanë humbur punën si pasojë e pandemisë, duke shpresuar që njerëzit të përfitojnë mjete nga pjesa që është e paraparë në buxhetin mbi pandeminë”.